E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy vajza tentojnë vetëvrasjen

Dy vajza të reja, njëra 16 dhe tjetra 18 vjeçe kanë tentuar të vrasin veten dje. Tentativat për vetëvrasje të adoleshenteve kanë ndodhur në Fier dhe në Vlorë dhe të dyja vajzat ndodhen në spital në gjendje kritike për jetën. Në Fier, 16-vjeçarja me inicialet Xh.O ka pirë plot 90 kokrra adelat të mërkurën në mbrëmje, pas një sherri me vëllain e saj më të madh. Mjeku toksikolog, Kilo Stoja, tha se vajza kishte gëlltitur ilaçet e gjyshes dhe kishte mbërritur në gjendje shumë të rëndë në spital. Edhe pas ndihmës mjekësore, vajza nuk ka dalë ende nga rreziku për jetën. Ndërsa në Vlorë, 18-vjeçarja me inicialet M.H. ka pirë disa kokrra fostoksinë dhe më pas ka prerë edhe damarët e duarve, për ta pasur të sigurt vdekjen. Por familjarët e kanë pikasur dhe e kanë dërguar shpejt në urgjencën e spitalit, ku vajza po lufton ende mes jetës dhe vdekjes. Deri dje në mbrëmje, mjekët thanë se vajza ishte në gjendje kome dhe nuk mund të jepnin një përgjigje përfundimtare nëse ajo e kishte kaluar rrezikun. Ende nuk dihen arsyet e kësaj tentative vetëvrasjeje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›