Vdekja e Scalfaros, Berisha: Shqiptarët humbën një mik të vërtetë

Kryeministri Berisha ka ngushëlluar sot qeverinë italiane për ndarjen nga jeta të ish-presidentit Oscar Luigi Scalfaro. Nëpërmjet nje mesazhi drejtuar Kryeministrit Italian Mario Monti, kryeministri Berisha thekson se me ndarjen nga jeta të ish presidentit dhe të senatorit Oskar Luixhi Skalfaro, kombi humbi një burrë shteti ndërsa shqiptarët humbën një mik të vërtetë.
“Me këtë rast në emër të qeverisë shqiptare ju shpreh Ju zoti kryeministër qeverisë suaj, familjes Skalfaro dhe Senatit Italian ngushëllimet më të sinqerta dhe lutem së bashku me ju që shpirti i të ndjerit senator dhe ish presidentit Oskar Luixhi Skalfaro të gjej paqen e merituar" ka theksuar Berisha.
Ish-presidenti Oscar Luigi Scalfaro ka ndërruar jetë në moshën 93-vjeçare. Scalfaro është një figurë që e ka kaluar pothuajse të gjithë jetën e tij në politikë, pasi që në vitin 1946 u zgjodh në Asamblenë Kushtetuese. Në pesë dekadat e jetës së tij politike, Scalfaro mbajti disa herë detyrën e Ministrit dhe ishte një Senator i përjetshëm.
Ai u zgjodh President i Italisë në një moment kritik në jetën e vendit, menjëherë pas atentatit që i mori jetën gjykatësit Falcone në vitin 1992 dhe udhëhoqi një luftë të vendosur kundër mafias siçiliane. Ai cilësohet si shembulli i korrektësisë dhe integritetit moral. Homazhet për nder të tij do të do bëhen nesër në kishën e Santa Maria në Trastevere të Romës.
Ndërkaq të gjitha ndeshjet sportive të parashikuara përgjatë gjithë ditës së dielë nisin me një minutë heshtje për nder të ish presidentit Oskar Luixhi Skalfaro. Praktikisht Scalfaro ka kaluar tërë jetën e tij në politikë. Scalfaro, ka qenë ish ministër i brendshëm dhe kryetar i Dhomës së Ulët të Parlamentit, ndërsa u zgjodh president në 1992.
“Si ish president i republikës, ai u përball me disa nga periudhat më të vështira të historisë – citohet të ketë thënë presidenti aktual i Italisë Giorgio Napolitano në një deklaratë për shtyp. Ngushëllimet e tyre për ndarjen nga jeta të Skalfaros, kanë shprehur politikanë të shumtë vendas, përfaqësues të partive politike dhe jo vetëm, drejtues të lartë të shtetit por edhe nga arena ndërkombëtare.