E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhelozia, e godet me thikë dhe lë për të vdekur gruan

Policia shpëton 47-vjeçaren Vjollca Bajraku, e gjen të plagosur rëndë buzë liqenit të Shkodrës. Burri dorëzohet: Vrava gruan. Motiv xhelozia

Kanë qenë duke shkuar te të afërmit e tyre në Zogaj, por janë grindur gjatë rrugës dhe burri ka goditur me thikë bashkëshorten e tij dhe e ka braktisur atë në anë të rrugës, si të vdekur. Ngjarja ka ndodhur në paraditen e së dielës, në aksin rrugor Shirokë-Zogaj, dy lagje këto në periferi të qytetit të Shkodrës, buzë liqenit, ndërsa mësohet se motiv për ngjarjen ishte xhelozia dhe grindjet mes çiftit.

Ngjarja

Sami Bajraku 51 vjeç së bashku me bashkëshorten e tij Vjollca Bajraku 47 vjeçe kanë qenë duke shkuar te të afërmit e tyre në Zogaj. Nga Shiroka ata janë nisur në këmbë dhe rrugës kanë debatuar mes tyre. Sipas dëshmive të grumbulluara nga policia, 51-vjeçari ka nxjerrë një thikë për të goditur gruan e tij. Kjo ka tentuar të shmanget, duke kërkuar ndihmë dhe ka marrë të ulet poshtë rrugës automobilistike ku po ecnin në këmbë, drejt bregut të liqenit. Ajo është ndjekur nga i shoqi, i cili pak metra poshtë rrugës e ka arritur dhe e ka goditur me thikë, duke menduar se gruaja kishte vdekur. Më pas ai është larguar dhe ka shkuar në Shkodër, ku është vetëdorëzuar në komisariatin e policisë. Policia ka marrë njoftim për ngjarjen nga një telefonatë që ka pohuar se një grua është goditur me thikë nga i shoqi dhe mendohet se ka vdekur. Vetë Bajraku në momentin e dorëzimit ka pohuar në polici se e kishte vrarë të shoqen, ndërsa ka thënë se vrasjen e kishte kryer pas një grindjeje me motive xhelozie.

Gjetja

Forcat e policisë kanë shkuar me shpejtësi në vendin ku mendohej se ndodhej viktima. Burime nga policia thonë se ka qenë e vështirë për shkak të motit të gjendej menjëherë gruaja, e cila është gjetur pas rreth dy orë kërkimesh, e plagosur rëndë dhe menjëherë policia e ka dërguar në spitalin rajonal të Shkodrës. Mësohet se ajo i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale dhe gjendja e saj vazhdon të jetë e rëndë. Shkak i ngjarjes mësohet se kanë qenë grindjet mes çiftit, të cilat njiheshin edhe nga të afërmit. Familja Bajraku jeton në lagjen “Daniel Matlia” në Shkodër dhe mësohet se fëmijët i ka në moshë të rritur. Ky nuk është rasti i vetëm i krimeve në familje të ndodhura në Shkodër gjatë këtij viti. Në shtator një 19-vjeçare mbeti e vrarë në Shkodër, ku autor i dyshuar është bashkëshorti i saj, ndërsa në prill një tjetër bashkëshort plagosi rëndë gruan e tij në Koplik. D.Kolaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›