E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdekja e elektriçistit në Lezhë, nën hetim 4 punonjës të OSHEE-së

Një ditë pas vdekjes tragjike të 27-vjeçarit Mark Prenga në një shtyllë elektrike në Rrilë, Prokuroria e Lezhës ka vënë nën hetim penal katër punonjës të OSHEE-së.

Sipas Policisë, hetimi ka nisur për veprat “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

Nën hetim janë një inxhinier dhe tre elektricistë.

Njoftimi i Policisë:

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë

Në vijim të informacionit të dhënë dje, mbi humbjen e jetës së shtetasit M. P. (me detyrë elektricist i OShEE-së), dyshohet si pasojë e rënies në kontakt me rrymën elektrike, gjatë riparimit të një defekti, në një shtyllë në fshatin Rrilë, infomojmë se në vijim të veprimeve procedurale të kryera nga oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Lezhës, nisi procedimi penal, për veprat “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasin M. L., 34 vjeç, me detyrë inxhinier elektrik i OShEE-së, si dhe për shtetasit K. Ll., 60 vjeç, A. Xh., 62 vjeç dhe E. R., 23 vjeç, me detyrë elektricistë të OShEE-së.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin N. D., banues në fshatin Spiten, pasi nuk i është bindur urdhrave të punonjësve të Policisë që kanë qenë në mbështetje të shërbimeve të Policisë Bashkiake, për zbatimin e një vendimi për kryerje punimesh në fshatin Spiten.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin N. Gj., 68 vjeç, banues në fshatin Spiten, pasi kallëzoi një 67-vjeçar, se shtetasi N. Gj. ka shpërdoruar detyrën që ka mbajtur më parë në ZRPP, duke kaluar në pronësi të një shtetasi tjetër, një sipërfaqe toke. Punohet për verifikimin e kallëzimit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.

27-vjeçari humbi jetën ditën e djeshme teksa ishte duke punuar në shtyllë për riparimin e një defekti.

Ditën e djeshme, policia mori në pyetje dy punonjës të nënstacionit elektrik të Rrilës dhe dy punonjës të OSHEE, mes tyre edhe përgjegjësi teknik.

Sipas burimeve zyrtare, punonjësit kanë deklaruar se u është kërkuar vetëm stakimi i linjës dytësore aty ku ishte konstatuar defekti, dhe jo ndërprerja e linjës së tensionit të lartë prej 10 mijë voltësh, me të cilën dyshohet se ra në kontakt 27-vjeçari.

Linjat elektrike kanë qenë paralele me njëra-tjetrën, ndërsa grupi hetimor po verifikon nëse janë respektuar rregullat e sigurisë dhe protokollet për ndërhyrje në rrjet. Hetimet janë në vijim.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›