E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e gjimnazistes, nën hetim mjeku Hoxhallari

 

TIRANË- Vdekja në spital e adoleshentes nga Korça ka vënë në lëvizje policinë dhe prokurorinë e Tiranës, të cilët kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet. Dy netë më parë, seksioni i krimeve kundër jetës dhe shëndetit pranë Drejtorisë së policisë së Tiranës janë lajmëruar për vdekjen e 17-vjeçares Matilda Petriti në një nga spitalet e qendrës spitalore “Nënë Tereza”.

Specialistët e këtij seksioni mbërritën pranë pavionit ku ndërroi jetë adoleshentja, për të sqaruar rrethanat. Burime nga policia e Tiranës bënë me dije për “Shekullin” se në spital janë përballur me familjarët e së ndjerës, të cilët kanë akuzuar mjekët për fatin tragjik të vajzës së tyre.

Policia dhe prokuroria nisën menjëherë hetimet duke marrë në pyetje fillimisht mjekun Xhevahir Hoxhallari, i cili kishte kryer operacionin e Matildës. Kjo e fundit u operua për heqjen e bajameve pak ditë më parë në një klinikë private në Pogradec, pronë e mjekut të mësipërm, i cili punon edhe në spitalin francez në Tiranë. Por pas operacionit,vajza ka pasur hemorragji duke bërë që ajo ti nënshtrohet edhe tre operacioneve ta tjera, por sërish gjendja e saj nuk është përmirësuar.

Gjendja shëndetsore e 17-vjeçares është përkeqësuar dhe është dërguar në spitalin e Tiranës, ku dhe rreth orës 20:00 të së dielës ka ndërruar jetë. Burime nga policia thanë se kanë marrë në pyetje mjekun i cili kreu operacionin. Në deklaratën e tij për policinë, mjeku ka treguar se operacioni përfundoi me sukses dhe gjendja e pacientes ishte e qëndrueshme.

Sipas të njëjta burimeve ndaj mjekut kanë nisur hetimet në bashkëpunim me prokurorinë, e cila do të vendosë më pas për fatin e doktorit. “Pritet ekspertiza e mjekësisë-ligjore e cila do të përcaktojë dhe shkakun e saktë të vdekjes së vajzës si dhe përgjegjësin. Më pas do të merren dhe masa nga prokuroria” -thanë për “Shekullin” burimet nga policia.

Megjithatë hetuesit e çështjes bënë me dije se paraprakisht është hemorragjia shkaku që çoi në vdekjen e gjimnazistes, por ende nuk është përcaktuar përgjegjësi, gjë e cila do të dalë në fund të hetimeve. K.Kotorri

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›