Veliaj në Bruksel: Shqipëria gati për kandidim
Përfaqësuesi i G 99, Erion Veliaj mori pjesë sot në aktivitetin e organizuar nga European Policy Center (Qendra e Politikave Evropiane), "Shqipëria përpara portave të NATO-s dhe të BE-së: mes miteve dhe realiteteve." Tema e kësaj konference ishin dinamikat e integrimit Euro-Atlantik të Shqipërisë dhe pengesat që duhen kapërcyer deri në destinacionin final ndër të cilat korrupsioni, krimi i organizuar dhe trafiqet ilegale.
Pjesmarrësit përfshinin ambasadorin e Shqipërsië në NATO, Artur Kuko, përfaqësuesin e European Stability Initiative , Gerald Knauss si dhe drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme së Zgjerimit në Komisionin Europian, Michael Leigh.
Erion Veliaj duke adresuar aktivitetin tha se tashmë në Bruksel shkohet për të avokuar per Shqipërinë dhe integrimin e saj të shpejtë në BE dhe jo për të sharë qeverinë e rradhës. Ai inkurajoi qeverinë shqiptare që brenda këtij viti të aplikojë për statusin e vendit anëtar në Bashkimin Europian. "Në sfidat e reja që e presin vendin deri në anëtarësim të plotë të Shqipërisë në BE, qytetarët shqiptarë duhet të jenë më të informuar dhe më të përfshirë,"- tha Veliaj.