Revoltë në burgun e Burrelit
TIRANË- Pa kaluar një muaj nga arratisja e dy të dënuarve nga qelitë e burgut të sigurisë së lartë në Burrel, rreth 30 të dënuar të këtij institucioni janë ngritur në revoltë, duke djegur letra, refuzuar ushqimin e institucionit dhe shkelmuar dyert e qelive. Shkak për këtë kaos të mbizotëruar dje në burg, sipas burimeve pranë këtij institucioni, janë bërë zënka e dy të dënuarve me policët e regjimit të brendshëm, pas së cilës të dënuarit Hajri Losha dhe Guri Dumani kanë përfunduar në izolim. Por duket se nuk ka qenë vetëm ky, shkaku i revoltës, pasi të dënuarit ishin “mbushur” me mllef për shkak të kontrolleve të imtësishme e të shpeshta në qelitë e tyre për gjetjen e sendeve të paligjshme si dhe transferimet e disa të dënuarve që vuanin në seksionin B të burgut të Burrelit. Nga këto burime mësohet se vetëm ditët e fundit, nga burgu i sigurisë së lartë, konkretisht nga seksioni B ku para 25 ditësh u arratisën dy të dënuar, janë transferuar për në burgun e sigurisë së lartë në Tepelenë më shumë se 10 të dënuar.
***
Sipas burimeve të “Shekullit”, gjatë ditës së djeshme numëroheshin rreth 30 të dënuar, të vetëizoluar në seksionin B të këtij burgu, duke kërkuar me çdo kusht takimin me ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Sipas protestuesve, janë dënuar pa të drejtë nga gjykatat dhe kërkojnë rigjykimin e çështjeve të tyre. Gjithashtu thuhet se kërkesë tjetër e tyre është mosushtrimi i dhunës nga punonjësit e policisë së burgut gjatë kontrollit të qelive dhe kthimin e disa të transferuarve të kohëve të fundit nga burgu i Burrelit në drejtim të burgut të Tepelenës. Ndërkohë, burimet zyrtare pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të pyetur për rastin, mohuan të ketë pasur ndonjë revoltë të rëndë, duke u mjaftuar vetëm me fjalët: “kanë protestuar disa të dënuar për izolimin e shokëve të tyre, por çdo gjë është nën kontroll nga forcat e policisë së burgut Burrel dhe atyre që kanë shkuar nga Tirana”. Flamur Vezaj
***
Po këto burime konfirmuan se pasditen e djeshme, nga kryeqyteti me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Burgjeve, janë nisur në drejtim të burgut të Burrelit tre furgonë me punonjës të togës së shoqërimit, për t’i ofruar ndihmë punonjësve bazë të burgut të Burrelit në rast daljeje të gjendjes jashtë kontrollit dhe tejkalimit të rregullores së burgut nga të dënuarit. Sipas burimeve të mësipërme, ka qenë koha e drekës kur dy punonjësit e regjimit të brendshëm kanë shkëmbyer fjalë me dy të dënuarit Hajri Losha dhe Guri Dumani, të cilët kanë tentuar të godasin punonjësit e policisë, por këta të fundit kanë neutralizuar situatën, me ndihmën e kolegëve të tyre duke i izoluar të dënuarit. Pas kësaj, “bashkëvuajtësit” e tyre kanë kërkuar sqarime nga drejtuesit e burgut, por si përgjigje kanë marrë kontrolle nëpër qeli. Kjo i ka irrituar të dënuarit, pasi gjatë kontrolleve të gjitha sendet personale që i kanë në qeli punonjësit e policisë ia kanë hedhur në korridorin e ngushtë të burgut. Pas kontrolleve ata kanë filluar të protestojnë duke u vetizoluar në seksionin B të burgut të sigurisë së lartë, institucion ky i rrethuar deri në orët e vona të natës me forca të shumta të policisë, të shkuara nga Tirana. Gjithashtu të dënuarit janë irrituar edhe nga transferimi i djeshëm i shokut të tyre, Emiliani Reçi i dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda për vjedhje në Itali. Mendohet se gjatë protestës të dënuarit kanë djegur përveç letrave dhe disa batanije në shenjë revolte për veprimet e punonjësve të policisë. Ndërkaq, vetëm pak ditë më parë, nga ky institucion kanë mundur të arratisen dy të dënuar që vuajnë dënimin në këtë institucion, duke prerë hekurat e dritares së qelisë, nga ku janë larguar me vrap për t’u arrestuar vetëm 30 minuta më pas nga forcat e policisë.