E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e mori Dervishin

Pas një sëmundje të rëndë, në moshën 68 vjeçare ka vdekur dramaturgu i njohur kosovar, Teki Dervishi. Nga Alfred Beka më 01 korrik 2011 në ora 19:20


Në mbrëmjen e së mërkurës, në ora 23:45, pas një sëmundjeje të rëndë, ka ndërruar jetë shkrimtari dhe publicisti Teki Dervishi.

Lajmin e ka bërë të ditur gazeta Bota sot, drejtor i së cilës ka qenë i ndjeri Dervishi. Përmes një komunikate, gazeta ka njoftuar se varrimi i Dervishit do të bëhet në vendlindjen e tij në Gjakovë.

Më të marrë lajmin për vdekjen e shkrimtarit Dervishi, ministri i Kulturës, Memli Krasniqi i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes së të ndjerit.

“Me befasi, dhembje dhe pikëllim e morëm lajmin për vdekjen e hershme të familjarit tuaj si dhe të poetit, prozatorit, dramaturgut dhe publicistit të shquar, Teki Dervishi. Vdekja e Tekiut erdhi si një kumt i zi për juve, familje e nderuar, për komunitetin e krijuesve dhe të artistëve tanë, si dhe për qytetarët e Kosovës, të cilët përjetësisht do ta mbajnë mend kontributin e tij intelektual në zhvillimin e kulturës, medies dhe artit ndër shqiptarët në përgjithësi”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të ministrit Krasniqi.
Më tutje në telegram thuhet se me vdekjen e Teki Dervishit, letërsia jonë, teatri, filmi dhe publicistika kanë humbur shumë, mbase njërin prej zërave më të veçantë të qarkut kulturor, mediatik dhe artistik të këtij vendi.

“Teki Dervishi do të mbetet përhershëm në kujtesën tonë si një shkrimtar i guximshëm, artist dhe poet i çmuar, si një njeri krejtësisht i veçantë dhe nismëtar i shumë ngjarjeve, medieve të ndryshme dhe festivaleve të ndryshme teatrore, të cilat e kishin një qëllim të vetëm: iluminimin e shpirtit të njerëzve tanë si dhe të afirmimit të kombit tonë kudo në botë. Dhe, kjo ndjenjë, sigurisht që, shumëkënd prej nesh, po ashtu edhe shumëkënd prej artistëve dhe shkrimtarëve do t’i bëjë ta ndjejnë humbjen e një miku të madh që e kanë njohur dhe respektuar, drejtpërsëdrejti apo edhe përmes krijimtarisë së tij”, ka shtuar, në telegramin e tij, ministri i Kulturës.

Ndërkaq, Teatri Kombëtar, drejtor i të cilit i ndjeri Dervishi ka qenë për disa vite pas luftës, ka hapur, të enjten, librin e kujtimeve për t’i bërë homazhe dramaturgut Dervishi.
“Në hollin e Teatrit Kombëtar do të jetë i hapur libri i kujtimeve për të gjithë qytetarët.
Jeta vepra dhe kujtimi i z. Teki Dervishi janë personifikim i krenarisë artistike dhe i krenarisë kombëtare, si dhe frymëzim artistik për të gjitha gjeneratat e ardhshme. Teatri Kombëtar do ta ketë të freskët gjithmonë kujtimin për të, andaj i fton të gjithë që ta ndajmë bashkërisht këtë ndjenjë dhimbjeje por dhe krenarie”, thuhet në komunikatën e Teatrit Kombëtar.

Teki Dervishi u lind në Gjakovë më 1943. Pas shkollimit fillor ai i ra në sy regjimit serb të asaj kohe dhe u burgos e u dënua që në moshën 17 vjeçare, ku vuajti dënimin disavjeçar në burgjet serbe. Teki Dervishi është ndër të burgosurit më të rinj shqiptarë që vuajti në burgun famëkeq jugosllav të Goli Otokut.

Teki Dervishi gjatë gjithë jetës së tij u mor me shkrime letrare e publicistike. Është autor i rreth 90 veprave letrare artistike, romane, poezi, drama. Është autor i romaneve: ‘Pirgu i Lartë’, 1972, ‘Padrona’, 1973, ‘Skedarët’, 1974, ‘Herezia e Dervish Mallutës’, 1981, ‘Palimpsest për Dush Kusarin’, 1993; i përmbledhjes së tregimeve: ‘Etje dhe Borë’; i vëllimit të poezive ‘Nimfa’, 1970, ‘Shtëpia e Sëmurë’, 1978, ‘Thashë’, 1981, ‘Nimfa’, 1986. Ka botuar edhe këto drama: ‘Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi’, 1979, ‘Bregu i Pikëllimit’, 1985, ‘Pranvera e Librave’, 1990, ‘Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit’, 1990, ‘Kufiri me atdhe’, 1996, ‘Vojceku’, 1996, ‘Eshtrat që kthehen vonë’, 2000, ‘Nesër nisemi për Parajsë’, 1999, ‘Ku është Populli?’, 2003 si dhe i veprës me ese e kritika mbi teatrin ‘Qan e qesh Talia’, 1978.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›