E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e poetit Podrimja, PDIU: Kombi humbi një rilindas modern

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka ngushëlluar sot familjen e poetit Ali Podrimja I cili u gjet I vdekur ditën e djeshme në Francë. Në një deklaratë për shtyp, PDIU thekson se humbja e jetës së poetit dhe veprimtarit të njohur Ali Podrimja është një ngjarje hidhëruese për kulturën dhe kombin shqiptar.
 

“Ali Podrimja nuk përfaqësonte vetëm kulturën e kombit tonë, së cilës iu kthye në një prej ambasadorëve më të vyer. Pena e tij hodhi në letër të drejtat e shqiptarëve, zgjoi lexuesit e tij mbi nevojën e zgjidhjes së çështjes së Kosovës dhe të Çamërisë. Antologjia e tij "Eni vjen prej Çamërie", një sprovë siç i pëlqente ta quante ngriti në piedestalin e mos-harresës nevojën e bashkimit të shqiptarëve mes njëri-tjetrit për të gjitha çështjet kombëtare. Poezitë e tij të panumërta për Kosovën e bën çështjen e shqiptarëve të prekshme e të përfaqësuar kudo e për të gjithë” thuhet në deklaratën e PDIU-së.
 

Më tej, PDIU-ja thekson se kombi ynë sot, nuk vajton thjesht humbjen e një pene të artë të kulturës kombëtare, por edhe humbjen e një rilindasi modern, që i dha bashkëkombësve të tij forcën e fjalës dhe të ndërgjegjësimit kundër padrejtësisë.
 

"Një natë nga netët pa gjumë" Podrimja i thërret shqiptarëve të Kosovës të zgjohen dhe të çohen për të fituar atë çka ju takon. E ashtu sikurse gjatë rilindjes, kontributi i luftëtarëve dhe poetëve u ndërthur sërish për të sjellë më afër realizimit aspiratat kombëtare. Prandaj, humbja e Ali Podrimjës është një humbje pikëlluese për kombin tonë. Por, si për çdo rilindas, qoftë edhe modern, Ali Podrimja do t`i mbijetojë kohërave, nëpërmjet veprave të pashueshme që i ka dhuruar kulturës dhe kombit shqiptar” shton PDIU.
 

PDIU ndërsa ka shprehur ngushëllimet familjes së poetit dhe mbarë kombit thekson se kujtimi i tij do të qëndroj i paharruar, krahas poetëve të mëdhenj të ndërgjegjes shqiptare si Naim Frashëri, Gjergj Fishta e Fan Noli.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›