Vdekja para syve

Gjatë këtyre ditëve, portieri i Tottenhamit, Carlo Cudicini, është duke lexuar “Apocalypse 2012”, librin që parashikon fundin e botës pas dy vjetëve. Por, bota e tij rrezikoi të përfundoj dy muaj më parë në rrugën Forest Road në Walthamstow kur me motoçikletën e tij BMW ishte përplasur në një Ford Fiesta, për arsye ende të paditura deri më sot.
“Ndodhi shumë shpejt. Një minutë më parë isha duke shkuar në stërvitje, ndërsa një minutë më vonë isha në rrugë drejt spitalit. Më kujtohen të gjitha, sepse edhe në ato momente të tmerrshme, nuk kam humbur vetëdijen. Gjëja e parë për të cilën mendoja ishte nëse mund të mbes i paralizuar dhe jam munduar të shoh nëse jam në gjendje të lëviz. Por, është dashur të pres, derisa kam ardhur në spital për ta kuptuar këtë”, tha Cudicini, në rrëfimin e tij rreth incidentit, gjatë një interviste më të përditshmen angleze Daily Mail.
Për një portier, lëndimet ishin të rrezikshme. Frakturë në nyjet e të dy duarve dhe ndarje e eshtrave të legenit.
“Dhembja ishte e madhe, por nuk kaloi gjatë para se të filloj të mendoj se çka mund të ndodh në vazhdim. A ishte lëndimi serioz? Pasi kam kuptuar se kam mundur të vdes, kam filluar të mendoj nëse është lëndim i cili më rrezikon karrierën”, shtoi ai.
Prej ditës së incidentit, Cudicini në asnjë moment nuk ka qenë i vetëm: nëna e tij ka shkuar në Londër, ndërsa ish-bashkëlojtarë dhe ata të tashëm e kanë vizituar dhe i kanë ofruar përkrahje.
“Ndihem me fat që jam ende gjallë. Besoj se gjërat ndodhin për një arsye dhe tani më takon mua të filloj një kapitull të ri. Kam mësuar shumë nga kjo përvojë, jam përmirësuar në raportet ndaj të tjerëve, jam më pozitiv sa i përket jetës në përgjithësi dhe i çmoj më tepër gjërat që i kam”, u shpreh ai.
Cudicini, aktualisht ec me ndihmën e patericave, por është i vendosur të rikthehet nga lëndimi. Objektivi i tij kryesor është rikthimi në fushë.
“Mjekët janë të lumtur me progresin tim dhe më kanë thënë se kam bërë të gjitha që është dashur t’i bëj për të shkuar përpara. Dua të kthehem të luaj. Të gjitha energjitë e mia janë të përqendruar në këtë objektiv”, përfundoi ai.