Imigrantët skllavë të mafisë

Ksenofobët në Europë shpesh ankohen se imigrantët do të dëmtojnë normat e tyre më të rëndësishme kulturore. Trazirat racore në jug të Italisë javën e kaluar mund të jenë një shenjë paralajmëruese se ndryshimet janë të pashmangshme, pasi që imigrantët nga Afrika, të cilët nuk jetojnë duke u mbështetur në kodin e heshtjes, oferta, protestuan kundër klaneve të fuqishme të mafisë, të cilat po kontrollojnë jetët e tyre, thotë Roberto Saviano, autor i librit kundër mafisë, Gomorrah.
Saviano, i cili kishte arritur të infiltrohet në radhët e Camorras, klanit më të fuqishëm dhe më të madh të mafisë në Itali, theksoi se pjesëmarrësit në trazira gjenden në mesin e mijëra imigrantëve, të përfshirë në sistemin e punëtorëve të lirë të mafisë, sistem ky të cilin mafia e kontrollon në bizneset legjitime nga Milano deri në Napoli.
Trazirat në Rosarno, të cilat filluan pasi që dy adoleshentë italianë hapën zjarr me pushkë gjuetie në drejtim të dy imigrantëve nga Afrika, shqetësuan Italinë, vend ky i cili krenohet me “imazhin e vet të bukur”. Rreth 2500 imigrantë jetojnë në Luginën Rosarno, në jug të Kalabrisë, ku punojnë si punëtorë sezonal në sektorin e bujqësisë. Shumë prej tyre kanë azil politik apo kanë leje të qëndrimit, por pa marrë parasysh se a qëndrojnë në Itali në mënyrë të ligjshme apo jo, imigrantët menaxhohen nga sistemi i punësimit i kontrolluar nga mafia. Saviano thotë se ata, të cilët ankohen për paga të ulëta apo kushte të vështira të punës, thjeshtë eliminohen. “Është ky një sistem ushtarak”, thotë Saviano. “Pronarët e fermave dhe të fabrikave shfrytëzojnë sistemin e punësimit të mafisë për të angazhuar punëtorë. Imigrantët presin nëpër rrugë, në pritje të pjesëtarëve të mafisë të cilët i angazhojnë. Nëse ankohen, ata vriten”, shton Saviano.
Imigrantët zbarkojnë në Itali nga shtetet e varfra të Afrikës apo të Europës Lindore dhe e gjejnë vetën të ngujuar në sistemin, në të cilin punojnë prej 10 deri në 14 orë në ditë, me pagesë prej vetëm tre dollarë për orë. Ata jetojnë në tenda apo në ndërtesa të braktisura, pa sigurim shëndetësor. Shoqëria italiane e mbështetë këtë sistem, duke mbajtur imigrantët në margjina. Shërbime për ta ofrojnë vetëm organizatat religjioze. Shumë imigrantë thjeshtë nuk raportojnë fare krimet kundër tyre. Zhdukja e tyre është përditshmëri-qeveria polake ende është duke kërkuar 100 shtetas të vet, të cilët janë zhdukur nga një ferme në Puglia, në vitin 2006 dhe besohet se disa prej tyre janë vrarë.
Edhe pse duket si një gjë ironike, klanet e krimit në Itali në fillim janë një mundësi e mirëseardhur për imigrantët, ngase këto klane krijojnë një atmosferë të mirëseardhjes për imigrantët.
“Me qëllim që mafia t’i ruajë ata si punëtorë me paga të ulëta, kjo organizatë krijon një atmosferë të tolerancës. Ata jetojnë më mirë në rajonet bujqësore, se sa në Milano. Ata trajtohen dhe paguhen si skllav, por marrëdhëniet njerëzore janë më të ngrohta se për shembull ato në Milano. Afrikanët theksojnë se femrat italiane në Kalabri i shikojnë në sy, ndërsa në veri të Italisë femrat nuk do ta bënin këtë”, thotë Saviano.
Megjithatë, siç dëshmuan edhe trazirat në Rosarno, imigrantët nuk pranohen nga të gjithë italianët. Sulmet me armë zjarri kundër imigrantëve janë dukuri mjaft e shpeshtë.
“Kemi mësuar se si të shfrytëzojmë armët tona duke gjuajtur në drejtim të qenve”, thotë Saviano, i cili është rritur në Napoli. “Tani, 14-vjeçarët po hapin zjarr në drejtim të imigrantëve. Kjo duket si një lojë fëmijësh, por nuk është. Është praktikë për të qëlluar shënjestrën”.
Imigrantët afrikanë ndaj sulmit kundër dy imigrantëve reaguan me djegie të automjeteve, duke nxitur sulme hakmarrëse nga ana e disa banorëve lokalë. Ishte ky shpërthimi i katërt i dhunës në këtë rajon gjatë viteve të kaluara. Gjashtë afrikanë vdiqën para dy viteve, pas shpërthimit të trazirave në qytetin Castel Volturno.
Përderisa incidenti duket se ka nxitur trazirat, një arsye më e largët është edhe situata e vështirë ekonomike. Me tkurrjen e buxhetit, BE-ja ka reduktuar ndihmat për bujqit në jug të Italisë, duke e zvogëluar edhe nevojën për punëtorë.
“Mafia dëshiron të përfitojë, ndërsa punëtorët janë bërë barrë”, thotë Saviano. Edhe autoritetet kanë mbyllur sytë para këtij problemi. Në vend se të forcojë shërbimet sociale apo rregulloret e punës, administrata e kryeministrit Silvio Berlusconi ka marrë një qëndrim më të ashpër kundrejt imigrantëve.
Ministri i Brendshëm i Italisë, Roberto Maroni, theksoi se “toleranca e madhe” ka nxitur trazirat në Rosario.
Saviano nuk pajtohet. “Është e qartë se autoritetet kanë lejuar mafinë që të veprojë me imigrantët sipas dëshirës. Kur përballen me padrejtësi, imigrantët e kanë të vështirë të flasin për këtë problem. Sidoqoftë, gjërat duket se kanë filluar të ndryshojnë. Ata nuk janë si punëtorët italianë, të cilët thjeshtë largohen nëse nuk ju pëlqen puna. Si një italian nga jugu, unë do t’iu thosha imigrantëve, ‘Ju lutem qëndroni, mos na lini vetëm me mafin뒔, nënvizon Saviano. (Time)