E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdes Adam Yauch i ‘Beastie Boys’

Reperi i njohur Adam Yauch, themelues i grupit të famshëm ‘Beastie Boys’, ka ndërruar jetë në moshën 47-vjeçare. Nëna e tij, Frances Yauch, e ka konfirmuar vdekjen e tij. Lajmi për vdekjen në moshë të re e ka shokuar opinionin publik. Mijëra adhurues e kolegë të Yauch të shtunën kanë shprehur ngushëllime teksa kanë kujtuar njohjen me artistin.

"Ka ikur një pionier i vërtetë. Ngushëllimet tona janë për familjen, e familja e hip-hopit gjithherë do ta kujtojë”, ka shkruar Jay Z në rrjetin social “Twitter”. Chuck D nga “Public Enemy” ka kujtuar kohën kur Yauch dhe ekipi i tij e morën në turneun e parë. Ka shkruar se nuk ka qenë përgatitur për vdekjen e hershme të mikut të tij. Billy Joe Armstrong i grupit “Green Day” ka kujtuar kur në vitet ‘90 shoqërohej me Yauch, dhe ka thënë se deri në qiell do ta çmojë mbështetjen që ia dha kur ai ishte fare i ri.

Tom Morello nga grupi “Rage Against the Machine” ka shkruar se "humori, talenti dhe zemërgjerësia e reperit tashmë të ndjerë do të kujtohen gjithmonë përderisa Flea i grupit “Red Hot Chili Peppers” ka shtuar se Yauch ka qenë një njeri krenar dhe i mahnitshëm.

Adam Yauch vuante nga kanceri në tre vjetët e fundit. Yauch ishte zëri i “Beastie Boys”, të cilët sivjet kishin arritur të bëheshin pjesë e “Rock and Roll Hall of Fame”.

Ata gjatë viteve tetëdhjetë u kishin ofruar miliona adhuruesve të tyre këngë të bukura hip-hop. Ata ishin reperë të bardhë avangardë që kishin arritur të fitonin respekt të madh për shkak se tregonin një admirim të madh për afrikano-amerikanët. Ata kishin arritur të mbanin afër vetes miliona adhurues, edhe pse nuk e kishin ndërruar stilin e këngëve të tyre. I qëndruan besnik rrymës së tyre të viteve ’80 dhe nuk kishin përfshirë tingujt e shekullit të ri që dëgjohen nëpër klubet e famshme amerikane.

Yauch ishte një faktor i rëndësishëm në evoluimin e “Beastie Boys” që nga themelimi i tyre. Grupi është marrë edhe me aktivitete humanitare dhe politike. Kishin qëndrim pro një Tibeti të lirë. “Beastie Boys” ishte bërë një institucion kulturor dhe social në qytetin e New Yorkut.

Reperi Eminem ka shkruar: “Mendoj se gjithkush mund ta marrë me mend dhe ta shohë se çfarë ndikimi të madh kanë pasur në mua dhe të tjerët ‘Beastie Boys’”.

Grupi ishte themeluar në vitin 1983.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›