E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita kërkon bojkotimin e zgjedhjeve në Siri

Votimet kanë nisur në zgjedhjet parlamentare në Sirinë e përfshirë nga konflikti.

Zgjedhjet që shihen nga presidenti i Sirisë, Bashar Al Assad, si zgjedhjet e para shumëpartiake në 50 vjet, janë pjesë e një procesi kompromisi të reformave politike, që ka nisur si kundërpërgjigje ndaj kryengritjes kundër Assadit në marsin e 2011.

Zgjedhjet fillimisht qenë shpallur për shtatorin e vitit 2011. Në kudër të përgatitjeve, janë formuar nëntë parti politike.

Sipas agjencisë siriane të lajmeve, 7195 kandidatë garojnë për 250 mandate parlamentare.

Grupi kryesor opozitar i Sirisë, ka bërë thirrje që të bojkotohen zgjedhjet parlamentare. Grupi i ka quajtur zgjedhjet “tallje me qytetarët”.

OKB-ja vlerëson se më shumë se 9 mijë njerëz janë vrarë që nga fillimi i kryengritjes kundër presidentit Al-Assad, që filloi në marsin e vitit 2011.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›