Vdes Ernesto Sabato

Ernesto Sabato vdiq në moshën 99-vjeçare. Shkrimtari argjentinas konsiderohet një nga më të mëdhenjtë e letërsisë së Amerikës Jugore të gjysmës së dytë të shek XX. Lajmin e vdekjes së tij ka bërë të ditur bashkëshortja e tij, Elvira Gonzalez Fraga.
"Rreth 15 ditë më parë vuajti nga një bronkit dhe në moshën e tij ishte e pashmangshme”, ka thënë e shoqja. Pas dy muajsh do të kishte mbushur 100 vjeç. Pikërisht për të festuar një shekull jetë të shkrimtarit, në Panairin Ndërkombëtar të Librit që po mbahet në kryeqytetin argjentinas, ishte parashikuar një ceremoni e veçantë. Sabato ka lindur në Rojas më 24 qershor 1911. Mbylli sytë në shtëpinë e tij në Santos Lugares, në provincën e Buneos Aires. Para se t’i kushtohej letërsisë, Sabato ishte diplomuar në fizikë e madje kishte punuar në laboratorin Curie të Parisit mes 1938 dhe 1939. Libri i tij i parë ishte një përmbledhje esesh më 1945, nën titullin “I pari është universi”. E braktisi shkencën për letërsinë. Suksesin e pa në vitin 1948 me “Tuneli”. Në këtë jehonë do të vazhdonte me “Mbi heronjtë dhe varret” më 1961, dhe ‘engjëlli i ferrit” më 1973.
Fitues i çmimit “Servantes” më 1984, ishte një nga kandidatët për çmimin “Nobel” më 2007. Me bindje të majta, u angazhua gjatë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Në vitin 1984 ishte kryetar i Komisionit Kombëtar për të zhdukurit gjatë shtypjes ushtarake të 1976-1983, dhe me raportin e tij zemëroi si të majtët dhe të djathtët, sepse shkruante: “terrori vjen si nga e djathta, si nga e majta”. Sabato ishte një artist poliedrik. Provoi edhe në pikturë dhe më 1989 ekspozoi disa dhjetëra vepra në qendrën “Pompidu” në Paris. "Arti më ka shpëtuar, ndaj edhe është tragjik”, ka thënë ai në një intervistë të vitit 1992 për “Newsweek”. Në të njëjtën intervistë pohoi se kishte tentuar dy herë të vetëvritej. Në jetën e tij të gjatë, Sabato ka kaluar shumë momente tragjike.
Me prejardhje nga Kalabria e Italisë, i cilësuar si i barasvlefshëm me Borges, Marquez, Cortazar, Sabato tregonte me krenari se në studion e tij kishte një gravurë veneciane të heroit të madh të shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Sabato ka vizituar Shqipërinë në mes të prillit të vitit 1996, ku deklaroi se “Jam shumë i emocionuar që ndodhem këtu, sepse një e katërta e gjakut tim është shqiptar". Shtëpia e shkrimtarit në Santo Lugares, shumë shpejt do të quhej shtëpia Muze Sabato.