Vdes gjiganti simpatik

Duncan vdiq të hënën në mëngjes, në qendrën spitalore Cedars-Sinai, në Los Angeles, ku po trajtohej nga një sulm në zemër, të cilin e kishte pësuar në muajin korrik, njoftoi e fejuara e tij, prezantuesja televizive, Omarosa Manigault.
Muskuloz dhe 1.96 metra i gjatë, Duncan njihej si një ish-truproje që në të tridhjetat e tij filloi të merrej me aktrim. Më 13 korrik, Duncan pësoi një infarkt miokardiak, nga i cili nuk arriti të këndellej.
Në pranverën e sivjetme Duncan u shfaq në një video të organizatës për të drejtat e kafshëve - PETA, në të cilin tregonte sesa mirë ishte ndier kur, para tri viteve, kishte vendosur të bëhej vegjetarian.
"E pastrova frigoriferin tim, që ishte i mbushur me afro 5,000 dollarë mish”, thoshte ai. “Tash jam shumë më i shëndosh sesa në kohën kur haja mish”.
Ndryshe, Duncan interpretoi një mori rolesh të vogla para se të shfaqej në filmin "The Green Mile", që i solli atij nominimin për Çmimin e Akademisë për rolin më të mirë dytësor. Në këtë film të vitit 1999, që bazohet në novelën me të njëjtin emër të autorit Stephen King, Duncan luan krah për krah me Tom Hanks, i cili në film luan rolin e gardianit në një burg amerikan të viteve të 30’a të shekullit 20. Duncan ndërkaq luan rolin e të dënuarit John Coffey, i cili shquhet me një sjellje befasisht të butë dhe me një aftësi të jashtëzakonshme qetësimi.
Interpretimi i Duncan iu ra në sy kritikëve dhe filmbërësve, kështu që shumë shpejt hyri në “ligën e parë” hollivudiane, dhe filloi të aktronte në disa filma brenda secilit vit. Një pjesë të fatit ia ka borxh edhe aktorit Bruce Willis, i cili e rekomandoi atë për filmin "The Green Mile", pasi që luajtën dy herë bashkë në filmin "Armageddon". Më vonë, Duncan punoi me Willis edhe në filmat "Breakfast of Champions", ''The Whole Nine Yards", dhe "Sin City".
Konstrukti i tij trupor ishte i përshtatshëm për gjithçka, qoftë për role të ndonjë superheroi (në "Daredevil"), apo për komedi ("Talledega Nights", ''School for Scoundrels"). Nga ana tjetër zëri i tij – një bariton i thellë – ishte shumë i përshtatshëm për huazim në filma të animuar, si "Kung Fu Panda", ''Delgo", apo "Brother Bear". Në mesin e roleve të tij televizive, vlen të përmenden filmat "The Apprentice", ''The Finder", ''Two and a Half Men" dhe "The Suite Life of Zack and Cody".
Michael Clarke Duncan u lind në Chicago, në vitin 1957. Ai u rrit vetëm nga e ëma, kundërshtimi i së cilës që i biri të merrej me futboll rezultoi me dëshirën e tij për t’u bërë aktor. Mirëpo, pasi i sëmuret e ëma, për ta ndihmuar atë Duncan detyrohet ta braktis kolegjin (Alcorn State University) dhe të punojë si hapës kanalesh dhe si roje. Në fund të të 20’ave, derisa ishte në kërkim të ndonjë roli në Los Angeles, Duncan filloi të punonte si truproje i aktorëve, si Will Smith, Jamie Foxx, etj. Vrasja e raperit të njohur Notorious B.I.G., të cilin e ruante asokohe, ndikoi që Duncan të hiqte dorë nga ky profesion dhe t’i përkushtohej vetëm aktrimit.
Ndër filmat e tij të parë, ku Duncan zakonisht shfaqet si truproje, ishin
"Bulworth", ''A Night at the Roxbury", "The Players Club", etj.