E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdes në Itali njeriu i katërt i familjes Deliu

Kore Deliu ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të djeshëm në një spital të Brindizit. Nuk i mbijetoi djegieve

 

Një tragjedi brenda tragjedisë. Familja Deliu ka humbur katër anëtarë nga shpërthimi në Gërdec

 

TIRANË- Ndërron jetë në Itali një tjetër prej të plagosurve të dramës së Gërdecit, Kore Deliu, punëtorja e demontimit të predhave. Kjo është viktima e 23-të e kësaj tragjedie dhe e katërta brenda një familjeje, asaj Deliu. Përpara saj kishin gjetur vdekjen nga shpërthimi Hysen Deliu, gruaja shtatzënë, Liljana Deliu dhe djali i saj trevjeçar Flavio. Familja Deliu banonte pranë fabrikës së çmontimit të municioneve dhe një pjesë e madhe e anëtarëve të saj ishte e punësuar në këtë fabrikë. Vdekja e djeshme ka shtuar edhe më shumë dramën e kësaj familjeje të varfër që ishte detyruar që të punonte në fabrikën e vdekjes për të mbijetuar. Kjo është një tragjedi brenda tragjedisë së madhe që mban emrin GËRDEC.

Kore Deliu ishte një nga të plagosurat më të rënda të shpërthimit të Gërdecit. Ajo është mjekuar gjatë ditëve të para në Tiranë por gjendja tepër e rëndë ka bërë që mjekët të marrin vendimin e vështirë për ta dërguar në Itali. Edhe pas mbërritjes në Itali gjendja e Kore Deliut nuk ka pasur përmirësime. Përpjekjet e mjekëve nuk kanë dhënë shumë rezultat dhe mëngjesin e djeshëm ajo ka ndërruar jetë duke u bërë viktima e 23-të e kësaj tragjedie. Ajo kishte djegie tepër të rënda pothuajse në të gjithë trupin. Kore Deliu do të ishte vetëm një emër në listën e shumtë të viktimave të Gërdecit por kjo nuk mund të ndodhë. Familja Deliu ka humbur katër anëtarë nga kjo ngjarje e rëndë dhe fati i keq i saj ishte sepse banonte pranë fabrikës së frikshme të demontimit të municioneve. Korja ishte pjesë e grupeve të demontimit të predhave dhe ka punuar për muaj të tërë në fabrikë. Grupi përbëhej nga Jetmir Deliu, Adelina Cami dhe vetë Kore Deliu. Edhe emri i Jetmir Deliut figuron në listën e viktimave të kësaj drame. Ndërsa Adelina Cami, 18 vjeçe ,ka pësuar djegie të rënda në më shumë se 25 për qind të trupit të saj. Këto janë "shifrat" e tragjedisë vetëm për njërin nga grupet e punëtorëve të Gërdecit. Si ata kishte edhe shumë të tjerë që tashmë përbëjnë listën e viktimave. Këta tre njerëz kanë rrezikuar çdo ditë jetën e tyre duke punuar në fabrikën e tmerrshme të vdekjes. Për çdo predhë që kanë hapur ata janë paguar "bujarisht" nga pronari i tyre me pak më shumë se 10 lekë të reja.

Emri i Kore dhe Jetmir Deliut është shënuar në të gjithë ditët e punës së fabrikës. Ditari i kësaj fabrike është një nga provat thelbësore që tregon me detaje se si është punuar nga këta fatkeqë. "Grupi numër nëntë përbëhet nga Jetmir Deliu, Adelina Cami dhe Kore Deliu. Më datë një mars këta tre njerëz kanë arritur që të hapin 590 predha dhe për këtë duhet të marrin 75272. Ato ndahen në tresh dhe secili merr 25090 lekë të vjetra", thuhet në librin e zi të Gërdecit. Këtë ditë ky grup duket se ka punuar shumë dhe janë "paguar mirë". Ditari i fabrikës tregon se çfarë pune kanë bërë çdo ditë këta njerëz, sa predha kanë arritur të demontojnë, sa herë kanë vënë jetën e tyre në rrezik dhe sa janë paguar. Nga familja Deliu punonte në fabrikë edhe Qemali. Për fat të mirë ai nuk është në listën e viktimave të shpërthimit të tmerrshëm. Ai bënte pjesë në një tjetër grup pune, jo në atë të Jetmirit dhe Kores. Grupi përbëhej nga Fiqiri Verizoni, Haxhi Hoxha dhe vetë Qemal Deliu. Ky ishte një grup i përbërë nga tre burra dhe shifrat e ditarit rë Gërdecit tregojnë se ata punonin shumë, hapnin çdo ditë më shumë se 700 predha, rrezikonin jetën e tyre më shumë se 700 herë dhe paguheshin pak më shumë se 10 lekë për secilën herë që rrezikonin jetën.

Kishte edhe ditë që paratë nuk u dilnin, për këtë arsye Qemali dhe Jetmiri bënin një "punë të dytë". Edhe kjo brenda fabrikës. Në ditarin e zi të Gërdecit emri i tyre është shënuar shpesh herë në listën e pastrimit të territorit. Kjo ishte një punë më e thjeshtë se sa hapja e predhave dhe ata paguheshin nga një mijë lekë çdo ditë. Në të gjitha rastet që ata kanë punuar në pastrimin e territorit, nuk kanë lënë pas dore punën e tyre "të vërtetë", atë të demontimit të predhave.

Tragjedia

Historia e familjes më të rrënuar të Gërdecit

Familja Deliu është më e prekura nga kjo tragjedi e tmerrshme. Dy prej anëtarëve të familjes që punonin në demontimin e predhave në fabrikën e Gërdecit kanë vdekur. Ata janë Kore dhe Jetmir Deliu, të dy punonin në të njëjtin grup. Por drama e kësaj familjeje nuk ka mbaruar me kaq. Fati i keq ka bërë që reparti i braktisur ushtarak që ndodhej vetëm pak metra larg banesës së tyre të kthehej në një fabrikë vdekjeje. Shpërthimi i depove që ndodheshin vetëm 100 metra larg banesës së tij i shoi familjen. Sa hap e mbyll sytë Uran Deliu ka parë banesën e tij të kthehej në gërmadhe. Ai ndodhej në oborr dhe po punonte tokën mesditën e së shtunës, kur shpërthimi i fuqishëm i depove në fshatin Gërdec i rrënoi familjen dhe bashkë me të edhe shtëpinë. Sapo kanë ndjerë shpërthimin e parë që tundi shtëpinë e tyre, Liljana është ngjitur në katin e dytë të shtëpisë për të gjetur djalin trevjeçar, por shpërthimi i dytë që pasoi pas pesë minutash shkatërroi të gjithë shtëpinë duke i shkaktuar dhe vdekjen gruas së re shtatzëne. Ajo dhe Jetmir Deliu, 21-vjeç, u gjetën të vdekur disa orë pas ngjarjes. Sapo ka marrë veten nga shpërthimi, Uran Deliu ka nisur të kërkojë djalin e tij të vetëm Flavion tre vjeç. Trupi i Liljanës, e cila ishte edhe shtatzëne u gjet nën gërmadhat e shtëpisë. Aty u gjet dhe trupi i pa jetë i kunatit të saj, Jetmir Deliut. Pak ditë më pas, në rrënojat e tmerrshme të Gërdecit u gjet edhe trupi i një fëmije të vogël. Analizat treguan se ishte Flavio trevjeçar.

LISTA E VIKTIMAVE TË IDENTIFIKUARA

Jetmir Ballazhi

Rajmonda Durda

Muhamet Hoxha

BesimÇanga

HysenCani

Jetmir Deliu

Roland Alla

LilianaDeliu

Flavio Deliu

Reshit Kruja

AzemMeliundërroi jetë në spital, Itali

IlirianMalçi

ZilieKaca

EndriDvorani

ArbenHasa

Muhamet Azizi

Bukurie Cani

Nafie Laci ndërroi jetë në spital, Itali

Kore Deliundërroi jetë në spital, Itali

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›