E Diel, 1 Nëntor 2026

Furgoni në humnerë, 7 të plagosur në Mirditë

 Drejtuesi i mjetit dhe dy pasagjerë në gjendje më të rëndë janë nisur në Spitalin Ushtarak. Policia: Nuk kishte zinxhirë

Furgoni me 9 pasagjerë udhëtonte nga Fushë Arrësi drejt Tiranës. Pas rrëshqitjes ra 50 m në humnerë

MIRDITË-Rrëshqitja dhe më pas rënia në greminë e një furgoni taksi që transportonte pasagjerë nga Fushë Arrësi për në Tiranë, ka sjellë plagosjen e rëndë të 7 personave që gjendeshin në të, tre prej të cilëve më rëndë. Ndërsa vetëm dy prej pasagjerëve që udhëtonin në furgon kanë shpëtuar pa marrë plagë. Sipas burimeve policore, drejt Tiranës janë nisur drejtuesi i mjetit, Nikoll Markaj dhe dy pasagjerë, Ervin Musaj-17-vjeç dhe Lula Voci, 54-vjeç. «Të plagosurit e tjerë, Preng Toma, 52-vjeç; Eriola Toma, 19-vjeç;Adrian Voci, 15-vjeç dhe Bledar Voci, 21-vjeç u trajtuan në spitalin e Rrëshenit dhe janë jashtë rrezikut për jetën»- thanë burimet policore. Sipas policisë, furgonit të drejtuar nga Nikoll Markaj i është shfaqur një furgon në krahun e tij të rrugës duke e detyruar që të frenonte në kthesë në ngjitje të përpjetë. «Kjo ka shkaktuar dhe rrëshqitjen në akull të furgonit me pasagjerë. Policia e ka identifikuar drejtuesin e furgonit tjetër dhe është në kërkim të tij»- theksojnë të njëjtat burime.

Rrëshqitja

Ngjarja ndodhi rreth dje orës 11.00, në vendin e quajtur Majë e Malthit, në dalje të Shpalit të Mirditës, një nga pikat e rrezikshme të kthesave të shumta që gjenden në këtë aks. Furgoni tip fiat me targa të verdha TR 942 A, i drejtuar nga 54-vjeçari, Nikoll Markaj (Zogu), bënte rrugën e Fushë Arrësit për në Tiranë dhe kthim, ndërsa është nisur nga Fushë Arrësi dje në mëngjes për të dërguar pasagjerë për në Tiranë.

Megjithëse është këshilluar nga drejtues të tjerë automjetesh se rruga ishte e vështirë dhe duhej kujdes, sipas policisë rrugore që ishte në vendngjarje, në momentin e rrëshqitjes automjeti nuk ka pasur zinxhirë në goma. Pikërisht në kalimin e kthesave të fundit të Majës së Malthit, furgoni është gjendur përballë një furgoni tjetër, ndërsa drejtuesi i furgonit e ka shmangur makinën për të mos u përplasur me të. Në këtë moment, furgoni që ai drejtonte është rrotulluar në rrugë duke u kthyer në mes të rrugës për të rrëshqitur vrullshëm nga dëbora që kapte trashësinë e 20 cm dhe për të fluturuar për në greminë, afërsisht 50 metra poshtë. Pas disa rrotullimeve furgoni me gjithë pasagjerët brenda është penguar nga disa shkurre. Këto janë bërë pengesë që ai të mos binte edhe më poshtë.

Nxjerrja e të plagosurve

Shtatë prej pasagjerëve janë plagosur nga rënia nëpër greminë dhe me ta vetë shoferi, por fati ka qenë me ta, pasi janë diktuar nga një furgon i Kukësit si dhe punëtorët e pastrimit të rrugës, që gjendeshin në makinën borëpastruese. Pikërisht ata kanë zbritur poshtë për të ndihmuar të plagosurit e për t'i nxjerrë në rrugë ndërsa janë dërguar me të shpejtë në urgjencën e spitalit Rrëshen. Disa prej tyre kanë rezultuar me fraktura e plagosje të rënda, sidomos në këmbë, në brinjë dhe në kokë, por të dalë jashtë rrezikut për jetën. Mjekët e Rrëshenit kanë dhënë ndihmesën e parë, duke i trajtuar me mjekime, ndërsa janë shtruar në kirurgjinë e spitalit të shtatë të plagosurit. Sipas mjekëve të këtij spitali tre prej tyre, pas 3 orë trajtimi u nisën për në Spitalin Ushtarak të Tiranës.

Shkaku

Shkaku i rënies së furgonit me pasagjerë, sipas policisë që shkoi në vendngjarje, ka qenë dëbora në atë pjesë të rrugës. Sipas burimeve policore, furgoni ka rrëshqitur për mungesë të zinxhirëve në goma. Ndërkohë që pikërisht në vendin e rënies, si pikë e njohur e rrezikshme mungonin mbrojtëset metalike, pasi ato janë vënë në të rrallë dhe jo gjithandej këtyre pikave të rrezikshme, ku kanë ndodhur dhe aksidente të tjera.

 

Konkretisht në furgon ndodheshin:

Erjola Preng Toma, 19 vjeç, nga Fushë Arrës (fraktura në krahë dhe trup)

Ervin Mehmet Musaj, 17 vjeç, nga Fushë Arrës (frakturë në këmbë, Spitali Ushtarak)

Bledar Pjerin Voci, 21 vjeç, nga Fushë Arrës

Pren Pashk Toma, 52 vjeç, nga Fushë Arrës

Indrit Kol Hilaj, 18 vjeç, nga Fushë Arrës

Ardin Anton Voci, 15 vjeç, nga Fushë Arrës

Lule Mark Voci, 52 vjeçe, nga Fushë Arrës (në gjendje të rëndë, frakturë në brinjë, këmbë e kokë. Në Spitalin Ushtarak)

Nikoll Përmarkaj, 53 vjeç, drejtuesi i mjetit (u nis për në Spitalin Ushtarak)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›