Braçe: Tregtia e armëve, pa kontroll shtetëror
Nënkryetari i grupit parlamentar i PS-së, Erion Braçe flet për ligjin e armëve dhe mos-zbatueshmërinë e tij
TIRANË- Plot një vit më parë, në detyrën e ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, teksa debatonte në një nga seancat plenare me anëtarë të opozitës për liberalizimin e tregtisë së armëve, garantoi se drafti për armët përcaktonte parimet e politikës së kontrollit të eksportit përmes Agjencisë së Kontrollit Shtetëror të Eksport-Importeve të mallrave ushtarake, e cila do të ishte në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Edhe pse ligji "Për kontrollin shtetëror të veprimtarisë së import-eksportit të mallrave ushtarake dhe mallrave e teknologjive në përdorim të dyfishtë" ka hyrë në fuqi në 1 qershor të vitit 2007, pika më kryesore ku bazohej pikërisht kontrolli, ajo e ngritjes së Agjencisë mbeti vetëm në letër. Thuajse gjithë përmbajtja e ligjit, (plot 25 nene) janë të lidhur ngushtë me ngritjen dhe kompetencat e kësaj Agjencie, e cila aktualisht nuk ekziston. Nënkryetari i grupit parlamentar i PS-së, Erion Braçe është endur dje zyrave të Ministrisë së Mbrojtjes për të kontaktuar me agjencinë në fjalë, por pa rezultat. "Sot kam harxhuar gjithë ditën, për të gjetur Autoritetin Shtetëror të Kontrollit të Eksport-Importit të Mallrave Ushtarake. Kam komunikuar me një sërë zyrash të Ministrisë së Mbrojtjes dhe i vetmi orientim që më jepnin dhe e vetmja adresë ishte ndërmarrja MEICO. Aq sa tani unë kam të drejtë të vë në dyshim ekzistencën e Autoritetit Shtetëror të Kontrollit të Eksport-Importeve, një institucion që duhet të ishte prezent, por që nuk bëhet i gjallë gjatë gjithë ditëve të tragjedisë, apo daljes së publikimit të fakteve, për një veprimtari tregtare që duhet ta licenconte, ta kontrollonte dhe mbi të gjitha, të bënte ekspertizën mbi të. Kam të drejtë të pyes, ku është ky Autoritet?",- tha dje Brace. Nënkryetari i grupit parlamentar drejtoi një pyetje publike, nëse Këshilli i Ministrave kishte marrë një vendim për ta ndërtuar këtë autoritet dhe nëse po, ku gjendej? "Ku janë autorizimet që ka lëshuar ky Autoritet? Këshilli i Ministrave, me vendim, përcakton organizimin, përbërjen, funksionimin dhe Statutin të Autoritetit dhe procedurën e marrjes së mendimeve të institucioneve të interesuara. Ku janë këto element, që duhet t'i miratonte Këshilli i Ministrave? Ku është kryetari i këtij autoriteti shtetëror, ku gjendet? Ky autoritet, që duhet të kontrollonte gjithë këtë veprimtari kriminale, figuron pa buxhet nga 2008",- tha Braçe. Pikërisht për këtë arsye, nënkryetari i grupit parlamentar i PS-së kërkoi që organi i akuzës duhet të shtrinte hetimet e saj edhe mbi këtë çështje. Ai theksoi se, ligji për armët është ndërtuar qëllimisht për të ligjëruar një aferë korruptive, të një grupi të strukturuar brenda qeverisë së Berishës. "Një ligj, që demonstron më së miri korrupsionin në këtë vend, që ka kapur nivelin më të lartë të vendimmarrjes, të paraparë nga Kushtetuta, që është Parlamenti i Republikës së Shqipërisë. Pra, ne sot nuk kemi thjesht një Kryeministër të korruptuar, një qeveri të korruptuar, biznes të korruptuar, por ne sot kemi një maxhorancë të korruptuar dhe të kapur deri në palcë nga korrupsioni, pasojat e së cilave janë ato 22 jetë të marra deri tani në Gërdec",- tha ai.
Drejtori i Drejtorisë Juridike pranon se nuk është ngritur agjencia, edhe pse për këtë ka një vendim
Ministria e Mbrojtjes: Po punohet për ngritjen e agjencisë
TIRANË- Drejtori i Drejtorisë Juridike, Rezart Tërshana, në Ministrinë e Mbrojtjes ka pranuar dje se Agjencia e Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve nuk është ngritur ende. Në konferencën për shtyp të mbajtur dje menjëherë pas reagimit zyrtar të Partisë Socialiste, Tërshana ka deklaruar se po punohet për ngritjen e strukturës së Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve. Në daljen e tij për mediat, Tershana ka theksuar se për implementimin e këtij ligji, është miratuar edhe Vendimi Nr.43, datë 16.01.2008 i Këshillit të Ministrave "Për organizimin, Funksionimin dhe Statusin e Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve". Edhe pse një vendim i tillë nuk ekziston në faqen e publikimeve zyrtare, Drejtori i Drejtorisë Juridike sqaroi se nga ana ligjore, ligji për armët, ka si objekt kryesor të tij rregullimin e veprimtarisë së kontrollit shtetëror mbi eksportin, importin, tranzitin, transferimin për materialet ushtarake dhe mallrat e teknologjitë me përdorim të dyfishtë. "Domosdoshmëria e miratimit të këtij ligji, rridhte edhe nga fakti se Republika e Shqipërisë ishte ndër të paktat vende në Europën Juglindore, që kishte një sistem të kontrollit shtetëror mbi eksportin e armëve jo të plotë dhe jashtë çdo parametri europian të kësaj fushe",- tha ai. Tërshana tha se procesi për hartimin e këtij ligji, ka nisur që prej vitit 2004, duke bashkëpunuar ngushtë edhe institucionet ndërkombëtare. Megjithatë, edhe pse ligji duhet të ishte gati në fund të vitit 2006, qeveria shqiptare arriti që ta kalonte vetëm disa muaj më pas, madje duke e kaluar në Kuvend me procedurë të përshpejtuar, ku shumica e deputetëve nuk kishin kurrfarë ideje se për çfarë ligji votonin.
Kompetencat kryesore të Autoritetit të Kontrollit Shtetëror
1. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo në bashkëpunim me organet e tjera qendrore ekzekutive:
a) nxit veprimtaritë për transfertat ndërkombëtare të mallrave, kur ato janë në përputhje me interesin kombëtar, duke i dhënë përparësi krijimit ose ruajtjes së vendeve ekzistuese të punës në fushën e teknologjisë së lartë;
b) kufizon/ndalon këto veprimtari, nëse bien në kundërshtim me interesin kombëtar, me angazhimet ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë, me angazhimet në luftën kundër terrorizmit, kur ka arsye të mendohet se këto mallra i përkasin armëve të dëmtimit në masë apo kanë si qëllim krijimin e armëve të tilla e të mjeteve të përhapjes së tyre, ose kur subjekti nuk është i pajisur me garancinë e përdoruesit të fundit të mallit.
2. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve ka të drejtë të marrë nga organet e tjera shtetërore dhe subjektet e tjera, në transferimet ndërkombëtare të mallrave, të gjitha të dhënat e nevojshme për ushtrimin e funksioneve të veta për kontrollin e eksporteve.
3. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve kryen ekspertizën në fushën e kontrollit shtetëror të eksporteve për zgjidhjen e çështjeve të licencave, autorizimeve ose certifikatës ndërkombëtare të importit, të mundësisë së regjistrimit të subjektit në veprimtaritë ekonomike me jashtë ose të dhënies së mundësisë së eksportit dhe të importit të mallrave të destinuara për qëllime ushtarake, edhe nëse këto vlerësohen sekret shtetëror.
4. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve bën certifikimin e sistemit ndërorganizativ të kontrollit të eksportit, të krijuar nga subjektet e përfshira në transferimin ndërkombëtar të mallrave dhe i pajis ato me certifikatën e nevojshme të sistemit.
5. Licencat dhe autorizimet lëshohen nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve për një rast, të përgjithshme ose të pakufizuara. Vendimet për dhënien e licencave dhe të autorizimeve ose certifikatave ndërkombëtare të importit merren nga organi i Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, në bazë të rezultateve të ekspertizës për kontrollin e eksportit.