Vdes në aksident emigranti, kthehej për festat në familje
TEPELENË- Kthehej nga Greqia për të kaluar pranë familjes festat e fundvitit, po humbet jetën gjatë një aksidenti automobilistik. Një 41- vjeçar nga Mirdita ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa automjeti me të cilin udhëtonte ka dalë nga rruga. Ngjarja ndodhi orët e para të ditës së premtes në aksin kombëtar Tepelenë- Ballsh, në vendin e quajtur "Gurorja e Vasiarit- Mogila", ndërsa është konstatuar rreth 12 orë më pas.
Mësohet se automjeti tip Honda, me targa YAB 7756, me drejtues shtetasin Paulin Gjergji, lindur dhe banues në Mirditë, ka dalë nga rruga dhe ka rënë nga ura, duke u përmbysur poshtë saj. "Si pasojë e kësaj daljeje nga rruga ka gjetur vdekjen drejtuesi i automjetit, i cili udhëtonte i vetëm në këtë automjet nga Athina për në Mirditë. Nga veprimet e kryera nga grupi hetimor rezultoi se shkaku i kësaj daljeje nga rruga ka qenë pagjumësia dhe lodhja e tepërt", thuhet në komunikatën zyrtare për shtyp për këtë ngjarje. Ndërkaq, verifikimet e mëtejshme kanë treguar se aksidenti ka ndodhur rreth orës 01.00 të mëngjesit, por duke qenë se automjeti kishte rënë poshtë urës dhe pamja ishte e kufizuar për t'u identifikuar nga drejtuesit e tjerë të automjeteve apo dhe nga policia, konstatimi ka ndodhur rreth 12 orë më vonë nga një qytetar, i cili ishte roje në guroren, pranë së cilës ndodhi aksidenti.