Qeveria Skandal me tenderët për blerjen e makinave
Agjencia e Prokurimeve Publike shpall fituesin, ndërkohë që një muaj më parë kishte anulluar tenderin me arsyetimin se ishte zhvilluar në kundërshtim me ligjin
TIRANË- Qeveria dhe Agjencia e Prokurimeve Publike janë bëre pjesë e një skandali gjatë organizimit të një tenderi me qëllim blerjen e makinave për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Bëhet fjalë për një fond prej 370 milionë lekësh me të cilët do të bliheshin 297 autovetura.
Në fillim APP-ja ka hapur tenderin, më pas e ka anulluar duke e cilësuar të pavlefshëm, ndërsa disa muaj më vonë, duke mos zhvilluar asnjë tender të ri, shpall fituese një kompani nga ato të cilësuara herën e parë si të parregullta.
Kështu, më datë 29 korrik, Ministria e Brendshme ka shpallur tenderin për blerjen e 297 autoveturave për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë duke ngjallur interesin e katër kompanive koncesionare në vend, të cilat kanë dorëzuar pranë këtyre institucioneve dokumentacionin me ofertat përkatëse.
Pas shqyrtimit të ofertave, nga gara skualifikohen dy kompani koncesionare, të cilat menjëherë pas kësaj i drejtohen Agjencisë së Prokurimeve Publike duke ankimuar vendimin.
Por pas ,marrjes në shqyrtim të ankesës së kompanive, më datë 10 shtator 2009 APP-ja vendos ta pezullojë përkohësisht tenderin dhe ka nisur hetimin duke kërkuar informacion shtesë nga Ministria e Brëndshme në lidhje me pretendimet e shoqërive.
"APP, pasi mori në shqyrtim ankesën e operatorëve ekonomikë për skualifikimin e padrejtë të tyre dhe kualifikimin në kundërshtim me ligjin të dy operatorëve të tjerë, me shkresën nr.prot 12250/1, datë 10.09.09 pezulloi procedurën e mësipërme të prokurimit si dhe kërkoi informacion nga autoriteti kontraktor për pretendimet e ankuesve", - citohet në vendimin e APP-së me nr. protokolli 12250/3 datë 29 tetor 2009.
Pas kësaj letre, Minstria e Brëndshme i përgjigjet APP-së duke e arsyetuar vendimin e saj me pamundësinë që kanë kompanitë e skualifikuara për ta furnizuar me makina të tipit të kërkuar.
Pasi përfundoi hetimin, më datë 29 tetor të këtij viti, Agjencia e Prokurimeve Publike vendosi anulimin e tenderit për blerjen e makinave me arsyetimin se gjatë zhvillimit të tij nuk ishin plotësuar procedurat e garës.
Me gjithë se kishte shpallur anulimin e tenderit për blerjen e 297 makinave për Drejtorinë e Përgjithme të Policisë, në mënyrë të çuditshme Agjencia e Prokurimeve Publike shpall në buletinin e saj të datës 23 Nëntor 2009 fituesin e këtij tenderi duke mos i dhënë mundësi kompanive të tjera që të akohen në gjykatë. Po ashtu, para anulimit të tenderit ishin dy kompani të kualifikuara ndërsa më datë 23 nëntor fituese është shpallur vetëm njëra prej tyre.
Tenderi, fituesi ishte i paracaktuar
Kushti i Ministrisë së Brëndshme ishte që koncensionari të sillte 297 autovetura brenda një jave
TIRANË- Krahas shpalljes së fituesit në një kohë kur tenderi ishte anulluar, dyshohet se kushtet e tenderit janë vendosur në atë mënyrë për të favorizuar një shoqëri të veçantë.
Kështu, referuar pretendimeve të kompanive të skualifikuara nga gara por edhe dokumenteve të tenderit dyshohet se kushtet teknike janë hartuar në mënyrë selektive duke shkuar tek tipi i makinës e tregtuar nga kompania e paracaktuar. Po ashtu, edhe kriteret e vendosura për të përmbushur kontratën, si afatet kohore dyshohet se janë bërë për të përjashtuar konkurrentët e tjerë nga gara.
Sipas kushteve të vendosura nga kontraktuesi i tenderit, kompania fituese të dorëzonte autoveturat deri më datë 30.11.2009 ndërkohë që fituesi në buletinin e Agjecisë së Prokurimeve Publike është shpallur vetëm një javë më parë, pra më datë 23.11.2009. Dhënia e vetëm një jave kohë për të plotësuar kërkesat e Ministrisë së Brëndshme për 297 autovetura është cilësuar një kushte tejet i paarritshëm dhe diskriminues nga koncesionarët.
Por ky nuk është skandali i hasur gjatë kohëve të fundit në tenderet e zhvilluara nga Minisitria e Brëndshme.
Jo më larg se tri ditë më pare, tre zyrtarë po të Ministrisë së Brendshme u arrestuan nga Policia e Shtetit, pas një hetimi katër mujor, për implikimin e këtyre personave në një tender veshmbathjesh me rreth 14 lote për disa dikastere. Tre prej tyre akuzohen se kanë marrë 125 mijë euro rryshfet në formën e 5 deri 10 për qind të vlerës limit të 14 loteve të ndryshme të tenderave, në disa institucione që trajtohen me veshmbathje.
Sipas prokurorisë, objekt i hetimit ka qenë procedura e prokurimit të fondeve publike me objekt "Blerje uniforma, veshmbathje dhe elementë të tjerë përbërës të tyre", me fond limit 175 milionë lekë të vjetra , procedurë e Drejtorisë së Përgjithshme të Prokurimeve të Përqendruara pranë Ministrisë së Brendshme.
Aksioni bllokohen, 390 kv ushqime të skaduara
TIRANË- Fluksi i madh i ushqimeve që konsumohen gjatë festave të fundvitit kur mundësia për abuzime është më e madhe, ka nxjerrë në kontroll inspektorët e Inspektoriateve të Sigurisë Ushqimore në të gjithë vendin.
Pas një aksioni disa ditor në rreth 300 subjekte është bërë i mundur bllokimi i sasive të mëdha të mallrave të skaduara. Gjatë kontrollit të kryer në rreth 300 subjekte, janë bllokuar rreth 400 kuintalë produkte ushqimore që u kishte kaluar data e skadencës.
Kontrolli i inspektoratit ka qenë i drejtuar kryesisht në etiketat e produkteve të prodhuara në vend; i pijeve alkoolike si dhe monitorimi i birrës me mostra të kodifikuara. Po ashtu objekt i kontrollit kanë qënë pikat e tregtimit të lëndëve të para të pasticerisë; tregjet e shitjes me shumicë, afatet e garancisë së produkteve ushqimore; kushtet e ruajtjes së produkteve ushqimore me origjinë shtazore, etj.
Sipas Inspektorëve problem tejet i mprehte mbeten tregjet, pasi janë të amortizuar dhe nuk plotësojne kushtet për të realizuar tregtimin e produkteve me origjinë shtazore. Krahas kësaj, -shtojnë,-ata nuk duhen lenë pas edhe mangësitë që hasen në etiketimin në gjuhën shqipe të produkteve ushqimore të importuara.