Banorët e Kombinatit ngrenë pemën e protestës: Duam ujë e drita
TIRANË- Sot, në ditën e Krishtlindjeve, banorët e Kombinatit kanë ngritur pemën e protestës. Një pemë rreth 10 metra e lartë, zbukuruar me bidonë plastikë uji, të cilët ishin bosh, u ngrit në sheshin "Garibaldi" në qendër të lagjes Kombinat. Banorët së bashku me deputetin e zonës Saimir Tahiri kanë ngritur këtë pemë në ditën e Krishtlindjeve dhe në prag të Vitit të ri për të shprehur në këtë formë protestën e tyre për mungesën e ujit dhe energjisë elektrike në këtë lagje të kryeqytetit.
Deputeti i PS, Saimir Tahiri nënvizoi se dhe qytetarët e Kombinatit kanë të drejtë njësoj si Kryeministri i vendit të festojnë:
"Sot është festë për të gjithë. Fatkeqësisht banorët e Kombinatit kanë dy arsye për të festuar më pak se të tjerët, dhe kjo sepse iu mungojnë dritat, iu mungon energjia elektrike dhe uji"-tha ai
Sipas Tahirit, është kjo arsyeja pse edhe pemën e Vitit të Ri këtu në Kombinat e kanë dekoruar simbolikisht me bidonë uji bosh.
Ai ka thekuar më tej se dhurata më e mirë që mund t'ju bëjë Kryeministri dhe qeveria banorëve të Kombinatit është të përmbushin detyrimin e tyre, për t'i sjellë ujë dhe drita këtyre qytetarëve që e meritojnë të festojnë të barabartë dhe të jetojnë të barabartë me të njëjtat kushte si edhe Kryeministri i vendit.