Greva e minatorëve, dështojnë negociatat me ACR
Dështojnë bisedimet mes minatorëve të Bulqizës dhe firmës koncesionare ACR.
E kanë pritur me shqetësim minatorët e Bulqizës zhvillimin e bisedimeve të djeshme mes administratorit të ACR-së dhe përfaqësisë së minatorëve. Fillimisht u tha se sindikalistët do të kishin në takim me Ministrin e Punës, ndërkaq më pas u sqarua se administratori i ACR, Giga Bedineishvili, dhe gjashtë përfaqësues të 700 minatorëve janë takuar në një nga lokalet pranë Ministrisë së Ekonomisë në Tiranë. Takimi zgjati dy orë e gjysmë dhe pas përfundimit të tij nga ana e minatorëve doli si përfundim se bisedimet dështuan. Burime të besueshme informacioni saktësojnë se ACR kanë rënë dakord të plotësojë shumicën e kërkesave të minatorëve, por nuk është dakord me largimin e administratorit të minierës, Medat Zogu.
Pritja në Bulqizë
Minatorët dhe familjarët e tyre kanë qëndruar gjatë gjithë ditës së djeshme në pritje të një përgjigjeje pozitive, madje janë shprehur se veprimet sindikaliste do të përshkallëzohen nëse firma e huaj nuk zgjidh kërkesat e tyre ekonomike dhe të drejta. Mësohet se sot paradite këshilli sindikal i minatorëve dhe komisioni i grevës do të zhvillojë një mbledhje, ku do të përcaktohen hapat e mëtejshëm të lëvizjes sindikaliste. Janë të shumtë minatorët që kanë kërkuar zëvendësimin e minatorëve të ngujuar prej 20 ditësh në galeritë e minierës, ndërkohë të tjerë janë shprehur se duhet shitur kromi që ndodhet gjendje në mjediset e ACR-së dhe të paguhen minatorët, pasi 700 familje të tyre aktualisht blejnë gjithçka me lista në dyqanet e qytetit të minatorëve. Zëra të fortë kritikë kishte dje mes minatorëve në lidhje me zhvillimin e takimit me firmën koncesionare në një lokal privat. Minatorët thanë se kjo ishte një fyerje për ta dhe se ACR dhe përfaqësuesit e tyre e ulën keq imazhin e grevës së urisë dhe sakrificat e minatorëve. “Ne nuk pranuam që takimi të zhvillohet në Peshkopi, mjaft afër me Bulqizën, ndërsa pranohet takimi në një lokal në Tiranë. Shokëve tanë ua kemi bërë të ditur se kanë vepruar shumë keq” - thanë minatorët që tubohen çdo ditë para galerisë ku janë ngujuar 13 kolegë të tyre. Policia dje nuk ka patur arsye të dalë në rrugët e qytetit, ndërkaq janë thirrur 27 minatorë dhe u është kërkuar të mos tentojnë të bllokojnë rrugën nacionale. Po ashtu atyre u është kërkuar të deklarojnë organizatorët e protestave dhe grevës së urisë. Gratë e minatorëve grevistë pohuan dje se janë dhunuar nga efektivat e policisë, ndërsa drejtori i policisë, Artan Hasanaj, deklaroi se gjithçka është kryer konform ligjit dhe se nuk mund të lejohet bllokimi i rrugës nacionale ku lëvizin ambulanca, turistë, udhëtarë etj. Deklaratave se policia duhet të largojë me forcë minatorët grevistë nga nëntoka i përgjigjen specialistët e minierës, të cilët pohojnë se është totalisht e pamundur nxjerrja me forcë e tyre, pasi 13 minatorët grevistë kanë arritur të bllokojnë ashensorin dhe zbritja nëpërmjet shkallëve nuk mund të realizohet normalisht deri në nivelin 14.