Vdes nga infarkti buzës detit 38-vjeçari
LEZHË- Shënohet viktima e parë në plazhin e Shëngjinit. Këtë radhë nuk është mbytja në det e të riut, por, sipas mjekëve të spitalit të Lezhës, një infarkti i ka marrë jetën edhe 38-vjeçarit Preng Dedgjonaj. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Lezhës, mësohet se Dedgjonaj ka qenë së bashku me familjen e tij në plazhin Shëngjinit, te vendi i quajtur “Rëra e hedhur”. Të njëjtat burime shprehen se Dedgjonaj rreth orës 17.00 ka lënë fëmijët dhe bashkëshorten në anë të rërës në hijen e çadrës duke u futur në ujë vetëm pak metra larg bregut. Ndërsa ai është hedhur direkt në ujë, sipas burimeve në vendin e ngjarjes, 38-vjeçari është fundosur në ujë, duke mos notuar as tre metra. Menjëherë kanë ndërhyrë pushuesit e tjerë duke e nxjerrë në breg, por pa mundur dot ta mbajnë në jetë, pasi ai kishte gjetur vdekjen që në momentin kur kishte qenë në ujë. Ndërsa është dërguar në urgjencën e Qendrës Shëndetësore të Shëngjinit, sipas mjekëve ka qenë e pamundur ndërhyja, pasi kishte vdekur që në momentin e kontaktit direkt me ujin. Më pas viktima është dërguar në spitalin rajonal të Lezhës, duke iu nënshtruar edhe ekspertizës, ku sipas mjekëve ekspertë shkaku i vdekjes ka qenë një infarkt që në momentin që viktima ka kontaktuar me ujin. Preng Dedgjonaj është nga fshati Trashan i Lezhës, ndërsa ai që në orën tetë të mëngjesit kishte vajtur me familjen e tij për të bërë plazh në Shëngjin.