E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdes 20-vjeçari, goditet nga rryma elektrike

DURRËS- Një i ri nga qyteti i Durrësit ka humbur jetën ditën e djeshme, pasi është goditur nga rryma elektrike. Nikoll Gjoka 20 vjeç, banor i lagjes 15 në Spitallë, ka qenë duke lyer me gëlqere tarracën në shtëpinë e tij, por për shkak të pakujdesisë ka rënë në kontakt me telat e korrentit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 13.00 të ditës së djeshme, në shtëpinë e tij në zonën e Spitallës. Burime të policisë së Durrësit kanë bërë të ditur se viktima ka qenë duke lyer soletën e shtëpisë së tij me gëlqere, me shpresën se kjo gjë do të largonte paksa vapën e madhe të krijuar nga temperaturat e larta. Gjatë lyerjes së soletës prej betoni, 20-vjeçari nuk është treguar i kujdesshëm, pasi ka prekur telat e korrentit që kalonin fare pranë shtëpisë së tij. Nga kontakti me rrymën, kjo e fundit e ka përplasur 20-vjeçarin përdhe. Burime nga vendngjarja kanë bërë të ditur se më pas ai ka rënë nga tarraca në tokë, duke shkaktuar edhe fraktura të shumta në trup. Vdekja ka qenë e menjëhershme, pasi mjekët e urgjencës së spitalit rajonal të Durrësit kanë pohuar se 20-vjeçari ka mbërritur aty pa shenja jete. Viktima është me origjinë nga Mirdita dhe ishte rritur jetim. Në shtëpinë e viktimës kanë mbërritur grupi hetimor për të kryer hetimet dhe për zbardhjen e ngjarjes së rëndë. Temperaturat e ditëve të fundit kanë qenë mjaft të larta në qytetin e Durrësit. Ditën e djeshme në kohën kur ka ndodhur ngjarja temperatura ka shënuar 36.5 gradë celsius. Shumë ndërtime në Durrës janë bërë pa çati dhe termoizolim dhe në këtë mënyrë këto banesa janë mjaft të nxehta në stinën e verës dhe të ftohta në dimër. Lyerja me gëlqere e sipërfaqes së soletës shikohet nga shumë vetë si një mundësi për të eliminuar nxehjen e tepërt të saj, pasi ngjyra e bardhë thyen një pjesë të madhe të rrezeve të diellit. A.K.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›