Sherri për parkimin, qëllohet me armë aktori Mevlan Shanaj
Pogradec - Plumba mbi aktorin e njohur Mevlan Shanaj në Pogradec, i shpëton për mrekulli tragjedisë merret në mbrojtje nga policia e shtetit. Prej disa ditësh artisti në fjalë ndodhet për pushime në banesën e tij buzë liqenit të Ohrit në Pogradec. Pushimet e përvitshme të Shanajt janë prishur nga breshëritë e plumbave të ardhura me shumicë në drejtim të tij. Fati ka qenë me artistin i cili i ka shpëtuar vdekjes, ndërsa pas ngjarjes i ka kërkuar ndihmë policisë liqenore. Policia e Korçës sqaron se ngjarja ka ndodhur për një konflikt për çështje pronësie, saktësisht një ndërtim që aktori po bën në zonën e plazhit, gjë e cila është mohuar nga Shanaj.
Përplasja
Aktori Shanaj është kanosur me armë nga Ardian Hoxhallari. Të shtënat me armë kanë ndodhur në orët e vona të mbrëmjes të së dielës. Policia ka identifikuar autorësinë e breshërisë së plumbave, teksa është duke zbardhur motivin e këtij krimi. Duke iu referuar të njëjtave burime zyrtare mësohet se Adrian Hoxhallari fqinji i Shanajt, ka qëlluar me armë në drejtim të banesës së tij, por fatmirësisht aktori u ka shpëtuar plumbave. Ndërkohë agresori është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, ndërsa policia është vënë në kërkim të tij dhe e kanë arrestuar pasditen e djeshme ku strehohej në një banesë të vjetër në fshatin Osnat, 3 km larg Pogradecit. Nga hetimet paraprake mësohet se Shanaj e Hoxhallari kanë konsumuar një grindje mes tyre për një vend parkimi afër banesës së tyre buzë liqenit dhe më pas grindja ka degjeneruar në përdorimin e armëve gjatë mbrëmjes së të dielës, duke tronditur krejt zonën dhe pushuesit e shumtë që ndodhen në të.
Aktori
Vetë aktori Mevlan Shanaj ka rrëfyer detaje të kanosjes së tij dhe tmerrin që ka përjetuar. Në një rrëfim për gazetën “Mapo” ai ka bërë të ditur se autori ka qëlluar plot 8 herë me plumba në drejtim të banesës së tij dhe gjithçka ka ndodhur nga një konflikt banal mbi vendin e parkimit. “Kjo është një ngjarje e rëndë dhe e shëmtuar për të cilën kërkoj që organet kompetente të bëjnë atë që duhet. Është një rast i hidhur, i shëmtuar, gjithsesi dua të them që unë sot jam i gëzuar, sepse është qëlluar drejt familjes sime, në banesën time, për fatin tim të mirë plumbat hasën në rezistencën e betonave, duke shpëtuar fëmijët. Është qëlluar 8 herë me pistoletë. Plumbat erdhën nga një njeri që e kam fqinj. Unë e theksoj që nuk kam pasur më parë konflikte me të. Ka ardhur koha të bëj një apel të fuqishëm, Shqipëria duhet ta rishikojë edhe njëherë çështjen e përdorimit të armëve, të cilat vrasin njerëz të pafajshëm”, ka deklaruar Shanaj për gazetën.
Sipas tij, edhe pas kësaj kanosjeje autori vazhdon të lëvizë i lirë në qytetin e Pogradecit, gjë që përbën një kërcënim për të dhe familjen e tij, ndaj drejtësia duhet të bëjë punën e saj për ta gjetur urgjentisht.”Jeta e familje sime është në rrezik, për sa kohë autori është i lirë. Është e turpshme që kanë kaluar kaq shumë orë dhe ai njeri rri i lirë dhe pi nëpër lokalet e Pogradecit me vetë policët. Unë vetë si Mevlan mund ta gjej atë në Pogradec, por nuk dua që të bëj zgjedhje të tilla, dua të veprojë drejtësia, shteti të tregohet serioz për raste të tilla shumë delikate”, shtoi më tej gjatë fjalës së tij aktori.