Përleshje për flamujt e PD në Babrru, rrihet aktivisti 20-vjeçar
Tiranë- Një tjetër incident elektoral është shënuar dy ditë më parë në Tiranë, ku një i ri ka rënë pre e sulmeve të kundërshtarëve të tij politikë, pasi ka qenë duke vendosur flamuj të Partisë Demokratike në shtylla. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës bëjnë të ditur se rreth orës 17:00 të ditës së mërkurë, është marrë njoftim se në qendër të Babrrusë janë konfliktuar për vendosjen e flamujve disa persona, ndërsa përleshja mes tyre ka dëmtuar 20-vjeçarin që po vendoste flamujt e PD-së në shtylla. Policia e Tiranës tha se sapo janë njoftuar për këtë incident elektoral, shërbimet e Patrullave të Përgjithshme mbërritën për të sqaruar më tej rrethanat e këtij konflikti. “Nga hetimet e kryera u arrit në përfundimin se Juxhino Zaja, 20 vjeç, ka qenë duke vendosur flamur në një shtyllë për subjektin politik Partia Demokratike, dhe më pas është penguar dhe goditur nga disa shtetas. Njëri prej tyre është identifikuar dhe shoqëruar menjëherë nga policia” – thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës. Për këtë ngjarje është shoqëruar dhe po merret në pyetje autori i dyshuar i këtij konflikti, i cili sipas policisë është Gjin Prenga, 52 vjeç. “Prenga do të ndiqet penalisht për konsumimin e veprës penale të dëmtimit me dashje” - tha zëdhënësja e Policisë së Tiranës. I dëmtuari Juxhino Zaja, iu nënshtrua ekspertimit mjeko-ligjor, që vërteton dhunën e ushtruar ndaj tij në qendër të Babrrusë. Ky raport i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës, e cila po vazhdon punën hetimore, për të sqaruar më tej rrethanat e këtij incidenti elektoral të radhës. Nga ana e tyre, dëshmitarët okularë, të pyetur nga ana e efektivëve të policisë, kanë treguar momentin e konfliktit, duke saktësuar se sherri e më pas përleshja ka nisur nga ana e Prengës. Sipas dëshmive të tyre, Zaja ka qenë duke vendosur flamujt e PD-së në shtyllat e zonës dhe kur është diktuar nga ana e Prengës, ky i fundit ka nisur ta ofendojë fillimisht me fjalë e më pas duke e kërcënuar. Ngjarja ka precipituar në konfrontim fizik, duke e qëlluar më grushte dhe shkelma në pjesë të ndryshme të trupit. Kanë qenë disa banorë të zonës, ata të cilët kanë njoftuar menjëherë forcat e policisë dhe kanë ndarë dy personat që po ziheshin mes tyre. Incidenti i djeshëm në zonën e Babrrusë është një tjetër tregues i fushatës së nxehtë elektorale në periferi të Tiranës, ku edhe janë shënuar incidentet më të shumta. Sipas policisë së kryeqytetit, gjatë tre javëve të fundit janë ndaluar 9 persona dhe janë shpallur në kërkim shtatë të tjerë, për episode dhune për shkak të flamujve apo simboleve të tjera partiake.