Vdes punëtori gjatë ndërtimit të urës

Vendi ku ndodhi ngjarja
TIRANE – Një 42-vjeçar, punëtor i angazhuar në ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan, humbi jetën paraditen e djeshme pas një aksidenti në punë. Një panel me beton e hekur i këmbës së njërës prej urave që po ndërtohen në lotin e parë të kësaj rruge i ka rënë sipër punëtorit Aleksandër Kondi, duke i shkaktuar vdekjen. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 11:00, në breg të lumit Erzen, pranë fshatit Bërzhitë të Tiranës. Në momentin kur ndodhi ngjarja, të pranishëm ishin edhe tre punëtorë të tjerë, të cilët kanë ndërhyrë menjëherë për të ndihmuar kolegun duke ngritur panelin që e kishte zënë poshtë. Sipas dëshmitarëve, 42-vjeçari ka qenë ende në jetë dhe është transportuar drejt një spitali privat te Kthesa e Kamzës me një nga automjetet e firmës së ndërtimit, por ka ndërruar jetë në momentin që po e zbrisnin nga makina. Policia e Komisariatit Nr. 1 dhe shërbime të tjera nga Drejtoria e Policisë së Tiranës kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, ku pasi kanë bërë këqyrjen dhe sekuestruar disa nga materialet e ndërtimit, kanë shoqëruar disa punëtorë shqiptarë dhe përfaqësues grekë për t’i marrë në pyetje. Pasi kanë dhënë deklarimet e tyre në Komisariatin Nr. 1, 3 prej dëshmitarëve janë shoqëruar me një automjet policie drejt vendit të ngjarjes, ku është bërë edhe verifikimi i fundit, duke marrë deklarimet edhe të drejtuesve dhe inxhinierëve. Burime nga Policia thanë se ka nisur procedim penal për ngjarjen që paraprakisht dyshohet si aksidentale, por që ka ndodhur nga mungesa e kushteve të sigurisë në punë. Viktima, Aleksandër Kondi, baba i dy fëmijëve, ka qenë i punësuar në sektorin ku po kryhen punime në tunelin e rrugës Tiranë-Elbasan. Të afërmit e tij kanë pasur dyshime se ngjarja mund të kishte ndodhur në brendësi të tunelit. Por kjo situatë është sqaruar nga Policia e Tiranës pas deklarimeve që u është marrë disa prej dëshmitarëve të ngjarjes. Punëtorët që kanë qenë të pranishëm në momentin e aksidentit thanë në Polici se Kondi nuk ka qenë në detyrë te vendi ku po ndërtoheshin këmbët e urës, por po kalonte aty për të shkuar në sektorin ku punonte, te tuneli. Në momentin kur Kondi po kalonte poshtë këmbës së urës që po ngrihet mbi lumin Erzen, një nga panelet është shkëputur nga lartësia duke e goditur 42-vjeçarin në pjesën e pasme të kokës dhe në supe, e më pas e ka zënë poshtë. Sipas dëshmitarëve, në momentin e ngjarjes, duke qenë se ende nuk kishte marrë punën, Aleksandër Kondi nuk ka qenë i veshur me rrobat e posaçme të punës dhe as me kaskën mbrojtëse, që mund ta kishin shmangur goditjen e drejtpërdrejtë në kokë. Megjithatë, mbetet për t’u sqaruar fakti se si paneli është shkëputur, duke hedhur dyshime se nuk ka qenë i kapur siç duhet, apo mund të jetë këputur ndonjë kavo. Burime nga Policia e Tiranës thanë se sot do të referohen materialet në Prokurori si ngjarje aksidentale, por e shkaktuar nga mungesa e kushteve të sigurisë në punë.