Veç edhe dy vjet?

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka takuar të enjten në Bruksel ndërmjetësin e Bashkimit Europian në bisedimet Kosovë –Serbi, të cilat aktualisht janë ndërprerë.
Sipas një njoftimi të Ministrisë së Drejtësisë, Kuçi ka kërkuar nga Cooper që të zbatohen marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë në procesin e dialogut.
“Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi në ditën e parë të vizitës së tij në Bruksel është takuar me ndërmjetësin e Bashkimit Evropian në dialogun teknik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, z. Robert Cooper, me të cilin është biseduar rreth zbatimit të konkluzioneve të arritura në këtë dialog”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, nuk është e qartë nëse Kuçi ka premtuar vazhdimin e bisedimeve.
“Ministri Kuçi shprehu qëndrimin e Kosovës që të zbatohen konkluzionet e arritura dhe këtë qëndrim kishte edhe z. Cooper. Gjatë bisedës u theksua se zbatimi i konkluzioneve të arritura është nevojë dhe kusht i domosdoshëm për fitimin e besimit dhe cilësisë së dialogut si dhe shprehjes së gatishmërisë për fqinjësi të mirë dhe respekt reciprok”, thuhet më tej në njoftim.
Kuçi ka takuar edhe Shefin e Operacioneve Civile të Komisionit Europian, z. Hansjorg Haber.
Sipas njoftimit, Kuçi me Haber ka diskutuar për raportet e institucioneve kosovare me misionin e Bashkimit Europian për sundim të ligjit EULEX, të cilat, sipas tyre, u
konsideruan të jenë raporte korrekte dhe shumë bashkëpunuese për vendosjen e rendit dhe ligjit në të gjithë vendin.
“Më tutje, z. Kuçi dhe z. Haber biseduan edhe për transferimin e kompetencave të EULEX-it tek institucionet vendore, gjë që do të bëhet brenda dy viteve të ardhshme me përjashtim të rasteve të procedimit të krimeve të luftës. Gjithashtu në takim u bisedua edhe për mënyrën e vazhdimit të mandatit të EULEX-it pas përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur”, thuhet në njoftim.
Bashkimi Europian ditëve të fundit ka vazhduar mandatin e EULEX’it edhe për dy vjet, derisa ky mision po kalon edhe një fazë të ristrukturimit.
Por, Zëvendëskryeministri para disa javësh gjatë qëndrimit në Bruksel ka prezantuar një strategji për largimin e EULEX’it nga Kosova deri në fund të vitit 2014.
Për këtë institucionet e Kosovës kanë parashikuar disa faza duke thënë se EULEX’i mund të ketë kompetenca në çështjen e krimeve të luftës dhe në pjesën veriore.
Por, në një reagim të EULEX’it ndaj kësaj strategjie thuhet se çështja e largimit varet nga institucionet e Kosovës në kuptimin se sa do t’i kryejnë punët ato.