S’i bën përshtypje

Zëvendëskryeministrit Behgjet Pacollit nuk i duket shumë punë e madhe fakti që vendit i mungojnë dy njohje.
Pasi që është bërë e ditur se Nigeria dhe Uganda nuk e kanë njohur akoma Kosovën dhe numri i njohjeve është 89, e jo 91, bashkëpunëtorët e Pacollit janë mjaftuar vetëm duke thënë se do të vazhdojnë lobimin.
“Aktivitetet lobuese të Zëvendëskryeministrit Pacolli janë duke vazhduar ne koordinim të plotë me të gjitha strukturat kompetente te Qeverisë”, ka thënë Këshilltari i Pacollit, Jetlir Zyberaj, në një prononcim për Express.
Ministria e Jashtme e Kosovës vazhdon t’i mbajë Ugandën dhe Nigerinë në listën e shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, e të cilat Pacolli i ka proklamuar si njohje të tij.
Pavarësisht se letrat që kanë ardhur nga këto dy vende në Kosovë janë prezantuar si njohje, është dashur vetëm një shpjegim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës se Kosova aktualisht njihet vetëm nga 89 shtete, e jo nga 91.
Dhe këtë e ka bërë publike vetë Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, gjatë një konference në SHBA.