E Shtunë, 31 Tetor 2026

Udhërrëfyesin në dorë

Autoritetet e Kosovës e pranuan edhe zyrtarisht dokumentin me të cilin definohen kriteret e procesit të liberalizimit të vizave. Komisionerja për Çështje të Brendshme e BE’së, Cecila Malmstrom, premtoi se kosovarët do të udhëtojnë pa viza pasi të plotësohen kushtet. Ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku, tha se i di mirë ato që kërkojnë europianët dhe se asgjë në udhërrëfyes nuk përbën befasi.

Komisionerja e Bashkimit Europian për Çështje të Brendshme, Cecila Malmstrom, ia ka dorëzuar të enjten në Bruksel udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave Ministres kosovare të Integrimeve, Vlora Çitaku.

Ky dokument tregon kriteret që autoritetet kosovare duhet t’i plotësojnë për të fituar udhëtimin pa viza në zonën Schengen.

Malmstrom dhe Çitaku e kanë quajtur hap të rëndësishëm dhe premtim të mbajtur dorëzimin e këtij dokumenti nga ana e Brukselit.

Për të marrë këtë dokument në Bruksel ka udhëtuar një delegacion mjaft i madh, përfshirë Ministrin e Brendshëm, Rexhepi, deputetë të Kuvendit dhe kryetarë nga disa komuna të Kosovës.

Me këtë rast janë përmendur edhe kushtet që duhet t’i përmbushin institucionet e Kosovës e që nuk janë fare të lehta.

Express kohë më parë kishte publikuar një draft të këtij dokumenti, ku kërkohet plotësimi i një numri kërkesash e ku bien në sy edhe më shumë lufta kundër korrupsionit që autoritetet e vendit duhet ta bëjnë.

Malmstrom ka dalë në konferencë për media me Çitakun, pasi ka dorëzuar udhërrëfyesin dhe ka pranuar se kushtet për Kosovën janë më të mëdha sesa për fqinjët e Kosovës, që tashmë gëzojnë të drejtën e udhëtimit të lirë në BE.

Të dyja zyrtaret janë përmbajtur nga çfarëdo komenti se kur këtij procesi mund t’i vijë fundi.

“Siç e thash ka më shumë kritere në numër, por janë të ndërlidhura me çështje të njëjta sikur në vendet tjera. Kanë lidhje me kontrollin e kufirit, sigurinë e dokumenteve, korrupsionin, të drejtat themelore etj . Por këtu janë më specifike sepse ne kemi mësuar shumë nga këto procese. Dhe e veçanta këtu është se ne i përfshijmë vendet anëtare në baza më të rregullta dhe në këtë mënyrë ne adresojmë progresin dhe se ku janë vështirësitë dhe madje në këtë mënyrë e përshpejtojmë atë duke përkrahur Qeverinë e Kosovës kur t’i identifikojmë këto( pengesat)”, ka thënë Malmstrom.

Për më tepër ajo ka theksuar se prapa vendimit për ta dorëzuar udhërrëfyesin qëndrojnë 27 vendet anëtare të BE’së, të cilat edhe dëshirojnë që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë lirshëm pasi të plotësohen kushtet.

Malmstrom ka thënë se Komisioni nuk do të prezantojë ndonjë dokument shtesë, duke thënë se në këtë pikë duhet t’i besohet Brukselit pasi këtë e ka prezantuar edhe si një garanci.

“Rruga e liberalizimit të vizave do të varet nga Kosova dhe plotësimi i kërkesave të ndryshme. Se kur do të bëhet realitet udhëtimi pa viza, është në dorën e Qeverisë sa shpejt do t’i zbatojë reformat në terren. Por, shpresoj se autoritetet kosovare do të tregojnë të njëjtin përcaktim dhe vullnet siç e kanë bërë deri më tani dhe Komisioni është partner dhe i vullnetshëm të punojë me ju”, ka thënë suedezja Malmstrom.

Ajo madje ka shpjeguar se gjatë një takimi në Bruksel mes dy palëve do të përcaktohen edhe disa detyra që duhet t’i bëjnë institucionet.

“Kjo është saktësisht ajo që do të diskutojmë sot padite në konferencën e lartë të shërbyesve civilë, për të definuar shpejtësinë, prioritetet , detyrat bashkë me Qeverinë e Kosovës. Nuk ka listë të prioriteteve, gjithçka duhet të përmbushet . Por, shpejtësia e saktë se kur duhet të ketë amendamentime ose ligje të planifikuara, kjo është diçka që duhet ta shikojmë së bashku”, ka thënë ajo.

Çështja e kontrollit të kufirit është një nga pikat e rëndësishme që përmendet në udhërrëfyes.

Malmstrom në këtë kontekst ka komentuar për veriun, duke thënë se kjo çështje është sensitive, por nuk do të ndikojë në proces.

“Situata në veri është e vështirë, por nuk është një kusht “per se” (në vetvete ) për udhërrëfyesin”.

Çitaku ka pranuar se udhërrëfyesi ka më shumë kushte sesa në rastet tjera të vendeve të Ballkanit, por ka thënë se asgjë në dokument nuk është befasuese.

“Unë ende mendoj se do të jemi në gjendje t’i përmbushim kriteret në një kohë rekord dhe nuk ka befasi sepse unë e pash dokumentin dhe Komisioni nuk po kërkon nga ne që të zbulojmë formulën e Coca - Cola’s”, ka thënë ajo.

“Udhërrëfyesi ka 95 kritere që duhet t’i përmbushim. Të gjitha institucionet do të punojnë shumë në mënyrë që të bëhet e mundur që qytetarët e Kosovës të lëvizin pa viza. Nuk do të jap ndonjë datë, por premtoj se do të punojmë shumë”, ka thënë ajo.

Bazuar në ato që ka thënë Çitaku, koha kur kosovarë do të udhëtojnë pa viza nuk është shumë e largët.

“Ne kemi adaptuar në mënyrë unilaterale udhërrëfyesin tri vjet më parë dhe që para 3 vjetësh kemi filluar t’i përmbushim kriteret për liberalizimin e vizave njëanshëm dhe disa nga kushtet që janë caktuar në udhërrëfyes tashmë janë përmbushur”, ka thënë ajo.

Malmstrom ndërkaq është mundur që para zyrtarëve të Kosovës të heqë frikën për këtë proces, duke thënë se liberalizimi do të ndodhë.

“Kur e kemi nisur këtë proces me vendet tjera u kemi thënë se kur t’i arrini kriteret ju do t’ua heqim vizat dhe kështu kemi bërë. Dhe nuk po shoh pse nuk do ta bëjmë edhe me këtë rast”, ka thënë zyrtarja e Komisionit Europian.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›