Kryejeni reformën

Liderët politikë të Kosovës ende nuk kanë arritur të pajtohen për sistemin zgjedhor në Kosovë, ndërkohë Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë po vazhdon të kërkojë përshpejtimin e këtij procesi.
Më herët Zyra e Zbogarit ka konstatuar se ka ngecje të mëdha sa i përket reformës zgjedhore dhe se nuk është arritur progres substancial në thjeshtësimin e procesit zgjedhor.
Komisioni për Reformën Zgjedhore, i themeluar nga Kuvendi i Kosovës në maj të vitit të kaluar dhe ka pasur mandat një vit për t`i dërguar rekomandimet në Parlament, por ky afat është shkelur për shkak se partitë politike nuk kanë arritur konsensus.
Partitë politike nuk kanë arritur të merren vesh për listat dhe numrin e zonave zgjedhore.
Me një vendim të ri të Kuvendit, Komisionit të udhëhequr nga Haki Demolli i është dhënë mandat shtesë deri në gjysmën e muajit gusht të këtij viti për të përmbyllur procesin.
Megjithëkëtë, në dy takimet e fundit, puna e Komisionit është bllokuar për shkak të mungesës së liderit të PDK’së, Hashim Thaçi.
Zyra e BE’së në Prishtinë, edhe të mërkurën, iu ka bërë thirrje liderëve të përfundojnë reformën zgjedhore, duke u bazuar në modelet më të mira europiane.
“Ne presim që liderët do të shfrytëzojnë këtë kohë shtesë që u është dhënë për të dalë me një marrëveshje për reformat zgjedhore”, ka thënë Suzana Bytyqi, Zyrtare për informim në Zyrën e BE’së.
Ndryshe, Komisioni për Reformën Zgjedhore ka paralajmëruar se më 19 qershor do ta ketë takimin e radhës, në të cilin kanë paralajmëruar mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje.
Deri më tash, partitë kryesore kanë dhënë propozime të ndryshme për zonat zgjedhore, duke ia pamundësuar Komisionit për Reformën Zgjedhore të marrë një vendim konsensual për të zhbllokuar përmbylljen e ndryshimeve të Ligjit për Zgjedhje.
Kështu, PDK’ja ka propozuar prej 6 e më shumë zona; LDK’ja më shumë se dhjetë, AAK’ja njëqind, Vetëvendosja, SLS’ja dhe Gjashtë Plusi kanë propozuar të mbetet edhe më tutje Kosova me një zonë zgjedhore.
LDK’ja ka paralajmëruar se ka përgatitur një Pako te re të propozimeve për reformën zgjedhore, por se ende nuk është publikuar.
Në anën tjetër, Zyra e BE’së në Kosovë ka kërkuar përshpejtimin reformës zgjedhore dhe zbatimin e rekomandimeve të ENEMO’s.
“BE’ja dhe Përfaqësuesi Special i BE’së së bashku me përfaqësuesit e shteteve anëtare të BE’së të përfaqësuara në Kosovë, u kanë bërë thirrje liderëve politikë të angazhohen në dialog konstruktivë mes vete dhe me shoqërinë civile dhe të dalin me qëndrimet e tyre për reformën e sistemit zgjedhor, në pajtim, meqë është kërkuar edhe në raportin e ENEMO’s, dhe me rekomandimet e Komisarit për Zgjerim, Stefan Fule për një sistem zgjedhor më të thjeshtë, edhe më transparent”, ka shtuar ajo.
Ndryshe, reforma gjithëpërfshirëse për zgjedhjet është përmendur edhe në Raportin e Misionit të Ekspertëve të BE’së për vitin 2010 dhe në Raportin e Progresit të Komisionit Europian për vitin 2011, në të cilët është bërë thirrje për një sistem më të thjeshtë dhe më transparent si dhe për shqyrtimin e rasteve të mashtrimit në zgjedhje.
Kërkesa e BE’së për të vazhduar mandati i Komisionit është mirëpritur nga përgjegjësit për reformën zgjedhore.
Ndryshe, kërkesa për reformë zgjedhore është adresuar nga zyrtarët europianë, të cilët kanë kërkuar që të krijohen kushtet për zgjedhje të lira dhe demokratike.
Në prill të vitit të kaluar, shumica e partive politike ishin marrë vesh për nisjen e një reforme zgjedhore, e cila është paraparë të përfundojë këtë të diel.
Edhe Komisari europian, Stefan Fule, gjatë vizitës së tij në Prishtinë në maj të vitit 2012, i pati nxitur aktorët që të arrijnë shpejt një qëndrim të përbashkët për reformën zgjedhore, në mënyrë që Kosova t’i plotësojë standardet dhe praktikat e mira ndërkombëtare për zgjedhje demokratike.
Me gjithë marrëveshjen për zgjedhje parlamentare për vitin e ardhshëm, Kryeministri Thaçi ka përmendur fundin e vitit 2014, kur partitë do të ballafaqohen në fushatë për të marrë pushtetin.
“Ballafaqimi me opozitën do të ndodhë në fund të vitit 2014”, ka thënë Thaçi në Kuvend, para disa ditësh.