Veç ma keq

Gjatë dimrit, klubi më i madh i futbollit në vend, Prishtina, vendosi ta angazhonte trajnerin gjerman Wolfgang Jerat, me synimin e vetëm që bardhekaltrit ta bëjnë një ekip evropian.
Mirëpo, jo gjithçka shkoi ashtu siç ishte planifikuar. Në fakt, skuadra kryeqytetase jo që e nisi dobët me rezultate pjesën pranverore të sezonit, por as loja e saj nuk ishte as për së afërmi ajo që pritej të shihej në fushë.
Në ndeshjen e parë, Prishtina barazoi në shtëpi me ekipin e fundit në tabelë, KEK-u (0:0), kurse në atë të dytë e mposhti me mund të madh Trepçën ’89 (2:1). E fundjavën që shkoi, prishtinasit u mundën në Prizren nga Liria (1:0).
Nëse e bëjmë një krahasim me Prishtinën që e pamë në vjeshtë, e cila dominonte absolutisht ndaj skuadrave tjera, atëherë dallimi është si nata me ditë, si nga rezultatet, ashtu edhe nga cilësia.
Trajneri Ramiz Krasniqi, i cili i udhëhoqi bardhekaltrit në vjeshtë, thotë se përkundër faktit se në fillim të sezonit ekipi i tij kishte më shumë ndeshje si mysafir, kishte arritur suksese të njëpasnjëshme pozitive, të cilat po mungojnë tash, kur ekipi pati më shumë takime si vendës.
“Janë argumentet që flasin qartë. Në fillim të sezonit kishim tri ndeshje jashtë dhe një brenda, dhe mund t’i shikoni rezultatet, edhe pse ishte fillimi i sezonit dhe ishte shumë më vështirë. Kurse tash, Prishtina ka më shumë lojë në shtëpi dhe rezultatet po shihen”, theksoi fillimisht trajneri prishtinas, i cili nuk ndalet me kaq.
“Kjo skuadër nuk mund të krahasohet me atë të vjeshtës. Po shihet qartë se janë bërë shumë ndryshime në ekip, shumica e lojtarëve që kanë luajtur në vjeshtë nuk luajnë sot, por kjo është zgjedhje e trajnerit. Në Prishtinën e sotme mungon atmosfera, mungon harmonia, është krejt e kundërta nga ajo e vjeshtës. Ndër të tjera, ne kishim edhe rezultate edhe kualitet, krejt ndryshe nga tash”, vazhdoi Krasniqi.
Ai shton se Prishtina e vjeshtës ishte shumë më dominuese në kampionat, më e sigurt, më e përkushtuar dhe më e disiplinuar. “Prishtina e tanishme nuk ka të bëjë me një skuadër të fuqishme, as lojtarët nuk duken të sigurt dhe nuk luajnë njëjtë, nuk e di pse”, shpjegoi Krasniqi.
Sa i përket titullit të kampionit, Krasniqi e favorizon Besën, e cila në pranverë ka pamje të re dhe duket shumë më e sigurt pas përforcimeve që bëri.
“Pas 4-5 xhirosh do të qartësohet shumëçka. Besa tregoi paraqitje të jashtëzakonshme, ka rikthyer 4-5 futbollistë dhe është bërë një Besë e fortë, cilësore, që mundet të marrë pikë çdo kund, ndaj cilitdo ekip. Pejanët i shoh si favoritë, por edhe Trepça ’89 ka lojtarë cilësorë, ana financiare nuk i mungon. Edhe Drita ndoshta do ta bëjë kthesën”, përfundoi ai.
Me Krasniqin, Prishtina ishte shpallur nënkampione e Kosovës sezonin e kaluar. Njëkohësisht, Ramiz Krasniqi ishte shpallur trajneri më i mirë i vitit, ngase me të prishtinasit dimëruan në krye të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll.
Por, këto suksese duket se nuk i mjaftuan atij, ngase udhëheqësit e Prishtinës vendosën që të bëjnë ndryshime në shtabin teknik gjatë dimrit, duke e sjellë trajnerin gjerman Wolfgang Jerat.