E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vegim Gashi në komë

Vegim Gashi ndodhet i shtrirë në spital. Ai ka pësuar një aksident të rëndë në Bullgari. Ish-kandidati i Aleancës Kosova e Re (AKR) për kryetar të Komunës së Prishtinës, ndodhet në gjendje kome. Gjatë skijimit, biznesmeni Gashi ka pësuar aksident në një zonë turistike në shtetin bullgar.

Burime të sigurta të Expressit tregojnë se Gashi ka pësuar aksident në ditën e dytë të vitit 2010. Ai ka shkuar atje për të kaluar disa ditë të pushimeve dimërore së bashku me familjen e tij. Sipas burimit të gazetës, ende është e paqartë mënyra se si ka ndodhur aksidenti, pasi ish-kandidati i AKR-së për kryetar të Prishtinës, ditën e 2 janarit ka qenë duke skijuar i vetëm. Në atë kohë, anëtarët e familjes së tij ndodheshin në hotel dhe nuk kanë mundur të shohin se si ka ndodhur rasti.

“Ai për dy ditë ka qenë në gjendje kome. Më vonë, Gashit i është hequr aparatura që i lehtëson atij frymëmarrjen dhe tash është duke marrë frymë vetë”, thotë burimi i gazetës, i afërt me biznesmenin Gashi.

Sipas këtij personi, edhe më tej Vegim Gashi ndodhet në gjendje kome, por tash të stimuluar nga vetë mjekët, të cilët duan që organizimi i tij të qetësohet dhe të mos mundohet shumë.

“Ai edhe pse merr frymë vetë, pa ndihmën e aparaturave, ende nuk është i vetëdijshëm”, shpjegon burimi i gazetës. Nga ky aksident i rëndë, Gashi ka të thyer njërën dorë, njërën këmbë dhe ka pësuar lëndime në kokë.

Vegim Gashi, pas garës për Komunën e Prishtinës, në zgjedhjet e fundit lokale, fitoi respekt edhe më të madh nga qytetarët dhe partia e tij, pasi doli i dyti, pas kryetarit Isa Mustafa. Në këtë mënyrë ai la prapa shumë kandidatë të tjerë të partive të tjera, të konsideruar favoritë.

Menjëherë pas aksidentit, Gashi është dërguar me urgjencë në njërin nga spitalet e Sofjes në Bullgari, ku edhe është duke u trajtuar. “Aktualisht gjendja e tij është më stabile sesa ka qenë në ditët e para pas aksidentit”, shpjegon burimi i gazetës.

Për dy ditë me radhë, zyrtarë të AKR-së nuk e kanë konfirmuar këtë aksident të rëndë që i ka ndodhur kolegut të tyre. Askush nga ata, qoftë edhe zëdhënësi i partisë, nuk ka pranuar të japë shpjegime në lidhje me këtë rast tragjik.

Megjithëkëtë, Mimoza Kusari-Lila, zëvendëspresidente e AKR-së, e konfirmoi të hënën për Express, aksidentin e rëndë të ndodhur para dhjetë ditësh.

Arsyen përse AKR-ja deri më tash nuk ka njoftuar në lidhje me këtë aksident, Kusari-Lila e ndërlidh me gjendjen e vështirë psikike, në të cilën ndodhet familja e kolegut të saj.

“Po, ka ndodhur aksidenti më 2 janar në Bullgari. Z. Gashi ka pësuar një aksident dhe ka të thyer dorën, këmbën dhe ka një tronditje. Por gjendja e tij aktualisht është stabile”, thotë Kusari-Lila, zëvendëspresidente e Aleancës Kosova e Re.

Mosinformimin e publikut për këtë rast ajo e arsyeton me mosinformimin e të gjithë pjesëtarëve të familjes Gashi, të cilët nuk kanë pasur njohuri se i afërmi i tyre ka pësuar një fatkeqësi të tillë.

“Gjithashtu edhe vajzat e tij nuk e kanë ditur tërësisht se si është rasti, prandaj edhe nuk kemi njoftuar”, thotë për Express, zyrtarja e lartë e AKR-së.

Mimoza Kusari-Lila sqaron se Vegim Gashi është njëri prej zyrtarëve më të respektuar në AKR, i cili është shumë optimist për të ardhmen e partisë dhe vendit në përgjithësi. “Ai ka sjellë vlerë në parti. Z. Gashi nuk ka konkurruar për Prishtinën sa për të zënë një pozitë, por që t’i sjellë përfitime kryeqytetit. Me ardhjen e tij në AKR, mund të them se është rritur partia”, thotë Kusari-Lila, ish-kandidate e kësaj partie për kryetare të Gjakovës. Sipas saj, Vegim Gashi ka punuar aktivisht dhe se ajo në bashkëpunim me të, është duke u punuar për krijimin e planit të punës për vitin 2010. “Ai ka vullnet të mirë për AKR-në, interesim për këtë parti dhe është një prej njerëzve më konstruktivë që njoh”, thotë Mimoza Kusari-Lila, zëvendëspresidente e AKR-së.

Përndryshe, në garën e fundit për zgjedhjet komunale, Vegim Gashi ishte kandidat për Prishtinën nga AKR-ja, e drejtuar nga biznesmeni Behxhet Pacolli. Kjo parti së bashku në koalicion me Lidhjen Demokratike të Dardanisë, të drejtuar nga akademik Nexhat Daci, me Vegim Gashin si kandidat të përbashkët, fituan më shumë se 20 për qind të votave të kryeqytetasve. Në fillim të fushatës zgjedhore, në intervistën e parë për mediet e shkruara në Kosovë, Gashi pati thënë për Express se Prishtinës i duhet një frymë e re, kreative, ndërmarrëse, frymë që do të bashkonte pozitivizmin e qytetarëve për interes të qytetarëve. “Është një moment që në jetën e secilit arrin një stad dhe ndikon kur vijnë një grup miqsh apo shokësh dhe të thonë se, shiko, kemi menduar se mund të bëjmë diçka së bashku. Atëherë vjen në një pozitë kur e ndien një diçka më të madhe sesa të themi në grup më të ngushtë, ta quaj si në një kompani apo familje”, kishte thënë Gashi ndër të tjera në intervistë për Express.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›