Përmbytja në Shkodër, situata drejt përmirësimit
Situata në Qarkun e Shkodrës vazhdon të përmirësohet, ku prurjet janë pakësuar, ndërsa nën ujë janë 10 400 hektarë tokë. Probleme paraqiten në lagjet periferike të qytetit veriperëndimor, ku është shtuar niveli i ujit, kjo edhe si pasojë e reshjeve të rëna. Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Brendshme, janë 4.780 banorë të larguar, ndërsa nën ujë ndodhen 2.489 shtëpi. Janë marrë të gjitha masat për t’u ardhur në ndihmë banorëve të zonës, për t’i furnizuar ata me ushqime dhe me shërbimet e nevojshme.
Komiteti Ndërministror i Emergjencës Civile vazhdon të organizojë veprimet dhe të ndërmarrë masat e nevojshme drejtpërdrejt nga terreni në të gjithë zonat, fshatrat e prekura nga përmbytja në Qarkun e Shkodrës.
Ditën e djeshme janë kryer operacionet për furnizimin me 10 ton bazë ushqimore për gjënë e gjallë. Nga strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër të mbështetura nga strukturat mbështetëse të Ministrisë së Brendshme janë zbatuar në terren operacionet për ruajtjen dhe sigurimin e argjinaturave, akseve të rrugëve, urave, si dhe u bashkëpunua me strukturat e tjera të ushtrisë për shpërndarjen e ndihmave ushqimore dhe evakuimin e komunitetit nga zonat e përmbytura.
Nga strukturat e Forcave të Armatosura janë kryer operacionet e dërgimit të ndihmave ushqimore të Rezervave të Shtetit. Në Komunën Dajç u shpërndanë 8 ton ushqime, 1000 palë çizme të ardhura nga kompani private, në komunën Velipojë 2 ton ushqime, 2 ton ujë, në Komunën Guri i Zi, 2.5 ton ushqime nga shoqata turke “Horizont”, ndërsa në Bashkinë Shkodër 50 pako ushqime për lagjen “Livade”. Ushtria ka larguar nga banesat rreth 160 persona në Komunën Bushat, fshatin Mali i Jushit, Obot, Komuna Ana e Malit, Ura e Gjon Lulit, Komuna Velipojë, Komuna Rrethina, Bashkia Shkodër në lagjet “Bahçallëk” dhe “Livade”. Gjithashtu, është punuar për përforcimin e argjinaturës në Velipojë, Ças e Dajç.
Përmbytja e lagjeve periferike të qytetit
Vërshimi i lumit të Bunës ka bërë që rreth 250 hektarë në Bashkinë e Shkodrës të jenë nën ujë. Sipas informacioneve, niveli i lumit është rritur me 6 cm. Ndërkohë që sipas specialistëve, duhen edhe 14 cm që ai të prekë nivelin kritik.
Si pasojë e vërshimeve të ujit të lumit, lagjet periferike të qytetit veriperëndimor janë nën ujë. Kështu reshjet e shiut kanë sjellë përmbytjen e lagjes së “Kirasit”, 4 km larg Shkodres, që njihet si zona e ndërmarrjes zooteknike. Në këtë lagje niveli i ujit ka arritur në një metër lartësi. Përmbytje ka pasur në lagjen “Bahçallëk”, në lagjen “Ajasëm” e “Xhabije”, në hyrje të qytetit të Shkodrës. Në shëtitoren përballë lumit Buna, niveli i ujit arrin në 50 cm. Nga informacionet e marra nga Ministria e Brendshme në qytet janë përmbytur 330 shtëpi, ndërsa janë larguar nga banesat e tyre 586 persona.
Komunat e përmbytura
Sipas informacioneve të marra nga Ministria e Brendshme, komunat e Dajçit dhe Velipojës vazhdojnë që të jenë më të prekurat nga përmbytjet, me 2 mijë hektarë nën ujë. Vazhdojnë evakuimet në zonat më të prekura në këtë qark, ndërkohë që numri i përgjithshëm i tokave nën ujë sipas informacioneve zyrtare, është 10 mijë hektarë, ndërsa janë larguar nga banesat 4.780 persona. Emergjencat civile, forcat e ushtrisë dhe policia vazhdojnë të jenë në gatishmëri për t’u ardhur në ndihmë banorëve. Nga informacionet e marra konkretisht janë shpërndarë 17.6 ton sheqer, 14.7 ton makarona, 12. 6 tonë vaj ushqimor, 7.5 ton oriz, 7.9 ton konserva mishi, 1.6 ton fasule, 0.5 ton kripë, 7.7 ton ujë, 10 ton detergjent, 10 mijë copë sapunë. Po kështu janë dërguar në Prefekturën e Shkodrës 78 çadra dhe janë dërguar për t’u përdorur për mbrojtje nga ujërat 41 mijë thasë rëre.
Përmirësimi i situatës në kaskadën e Drinit
Vazhdon të përmirësohet situata në kaskadën e Drinit, ku niveli i ujit ka rënë në 291.58 metra nga 293 që kishte qenë më parë. Pritet që niveli i ujit në liqenin e Fierzës të rikthehet në kuotat e sigurisë, deri në 290 metër, brenda 48 orëve. Sipas njoftimit zyrtar nga KESH, në tre hidrocentralet po vazhdohet të shkarkohet ujë përmes portave të sigurisë, në sasi më të ulëta sesa një ditë më parë. Nga informacionet e marra në Fierzë është shkarkuar 400 metër kub ujë në sekondë. Në Koman 1 mijë metër kub dhe në Vaun e Dejës 1200 metër kub ujë në sekondë.
Në hidrocentralin e Komanit niveli i ujit ka rënë mbi një metër krahasuar me një ditë më parë dhe ka arritur kuotën e 170 metrave. Vau i Dejës ndodhet në kuotat e 74.34 metrave. Specialistët vazhdojnë të kontrollojnë gjithçka, ndërsa mendohet që pas dy ditësh situata do të përmirësohet në këto HEC-e.
Ndihmat nga jashtë
Për t’iu ardhur në ndihmë ekipeve të emergjencave mbërritën ditën e djeshme nga Italia në Rinas dy helikopterë emergjencash. Më pas ata u nisën drejt zonave të prekura nga përmbytjet në veri të vendit. Helikopterët mund të transportojnë 30 persona, ndërsa do të merren edhe me shpërndarjen e ndihmave nga ajri.
Ekipet greke kanë në dispozicion për të kryer operacionet e tyre 4 makina, 2 varka me motor dhe 7 pompa të fuqishme. Ato janë aktivizuar në largimin e ujërave me pompa pranë stacionit të pompave në Draqin. Strukturat e huaja të ardhura nga Maqedonia, Sllovenia, Greqia, Italia janë akomoduar pranë repartit të Vau të Dejës, në pritje për të marrë detyrat nga zyra operacionale ushtarake e ngritur pranë KECQ. Gjatë ditës së djeshme u zhvillua një takim midis kryetarit të KECQ, atasheut ushtarak amerikan dhe drejtorit të USAID-it, të cilët u informuan për situatën në rajonin e njësive vendore të përmbytura.
Dëmtohet ura e Fierzës
Si pasojë e prurjeve të mëdha të ujit ka pësuar dëmtime kolonat e urës, që ndodhet poshtë digës së liqenit të Fierzës. Nisur nga kjo, për të mos rrezikuar njerëzit, është bllokuar aksi rrugor Qafë Mali-Bajram Curri. Drejtoria e Rrugëve po punon për zhbllokimin e aksit pranë urës së dëmtuar. Në vendngjarje kanë shkuar forca të Policisë Rrugore, ndërsa janë njoftuar të gjithë drejtuesit e makinave, që të mos e zgjedhin këtë aks për të kaluar, pasi ai është bllokuar.
Të dhëna mbi numrin e personave të evakuuar, sipërfaqen e tokës dhe numrin e shtëpive të përmbytura.
Njësia vendore Tokë e përmbytur Persona të evakuuar Shtëpi të përmbytura
1 B. Shkodër 250 ha 586 330
2 K. Dajç 2000 ha 2000 1187
3 K. Ana Malit 1200 ha 282 180
4 K. Velipojë 2000 ha 25 50
5 K. Bërdicë 1900 ha 810 368
6 K. Guri Zi 1000 ha 730 200
7 K. Bushat 1700 ha 312 150
8 K. Qendër, M.Madhe 50 ha 10 8
9 K.Rrethina 300 25 16
Gjithsej 10.400 ha 4780 persona 2489 shtëpi
Të dhëna për kaskadën e Drinit dhe Ulzës: ora 18:00, 10.01.2010
a. Kuotat, prurjet dhe prodhimi
HEC K. max. lejuar
(m) K. orare
(m) Dif. Kuotave orare
(cm) Prurjet orare
(m3/sek) Prodhimi orar
(MW)
Fierze 296.00 291.53 -2 700 450
Koman 175.00 170. 21 -8 200 580
V.Dejës 76.00 74.11 -2 170 250
Ulëz+Shkopet 128.80 127.91 +3 180 12
HEC e tjerë 43
Derdhje uji Fierzë Koman V.Dejës Ulëz Shkopet
Porta (m3/sek) 650 800 1200 0 0
Agr (m3/sek) 450 580 560 64 80
Total (m3/sek) 1100 1380 1760 64 80