E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vazhdojnë ndihmat nga Kosova për zonat e përmbytura

Ferizaj, 12 mijë euro ndihmë për zonat e përmbytura në Shqipëri

Qeveria komunale e Ferizajt në mbledhjen e saj të parë pas konstituimit, ka vendosur të hënën të ndajë nga buxheti komunal, një shumë prej 12000 eurove, për zonat e prekura nga vërshimet në Shqipëri.

Në një njoftim për media nga zyra e kryetarit, Bajrush Xhemajli, thuhet se kjo ndihmë simbolike shprehë solidarizimin e qytetarëve të komunës së Ferizajt me popullatën e atyre zonave të prekura.

Përmbytjet që po vazhdojnë të kërcënojnë banorë të zonave të tëra të Shqipërisë, edhe në qytetin e Ferizajt janë duke u ndjekur me shqetësime. Një iniciativë qytetare është formuar së fundi, për të ndihmuar qytetarët e qyteteve shqiptare të përmbytura nga uji. Kjo iniciative kanë ftuar afaristët e bizneseve të vogla, të mesme dhe të mëdha si dhe gjithë qytetarët që të shprehin solidaritetin me bashkëkombësit tanë, të cilat po përballen me një situatë të rëndë.

Komuna e Ferizajt që nga viti 2004 është e binjakëzuar me qytetin e Shkodrës.

PTK ndihmon Shqipërinë me 10 mijë euro

Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK) ka ndarë 10 mijë euro për të ndihmuar zonat e prekura nga vërshimet në Shqipëri, ndërsa për një muaj qytetarët do të kenë mundësi që përmes thirrjeve telefonike dhe sms-ve, të cilat do të kushton nga 0,50 euro, të ndihmojnë banorët shqiptarë që janë dëmtuar nga vërshimet.

Shyqri Haxha, drejtor ekzekutiv i PTK-së, gjatë një konference me gazetar të hënën tha se PTK-ja me këtë ndihmë i është bashkangjitur Qeverisë së Kosovës, që të kontribuojë sa do pak në zbutjen e gjendjes së banorëve të Shqipërisë, të cilët janë goditur nga vërshimet.

“Tani për tani në cilësinë e shefit ekzekutiv jap 10 mijë euro që menjëherë i dedikohen këtij donacioni si dhe kemi lansuar dy numra, ku të gjithë konsumatorët e Valës dhe Telekomit, gjegjësisht të gjithë konsumatorët e PTK-së mund të kontribuojnë. Thirrja nga Vala dhe fiks, mund të bëhet në numrin 0900 900 dhe kushton 50 centë, duke përfshirë TVSH-në, si dhe dërgimi i sms-së do të bëhet në numrin 8090, gjithashtu 50 centë duke e përfshirë TVSH-në”, tha ai.

Ai shtoi se kjo është një ndihmë që me të vërtet do të kontribuojë në zbutjen e gjendjes në të cilën është përfshirë Shqipëria dhe këta numra që sot lansohen do të qëndrojnë një muaj, dhe të gjitha këto mjete të grumbulluara do të dedikohen 100 për qind si donacion në Shqipëri.

Ndryshe, pas një muaji sa do të jenë të hapur këta numra për thirrje si dhe dërgimin e sms-ve, PTK-ja do të bëjë publike shumën e mbledhur gjatë gjithë kësaj kohe.

Edhe “Raiffeisen Bank” ndihmon me 10 mijë euro

Pas situatës së krijuar nga përmbytjet në rrethin e Shkodrës në Shqipëri, Bordi Drejtues i “Raiffeisen Bank” në Kosovë ka vendosur që të ndihmojë banorët e këtij rajoni me një shumë prej 10,000 euro.

Në një komunikatë të lëshuar për media të hënën nga “Raiffeisen Bank”, njoftohet se kjo shumë do të transferohet në llogarinë e hapur nga Qeveria e Shqipërisë për të ndihmuar banorët e zonës.

“Ne kemi përcjellur me vëmendje ngjarjet e fundit pas përmbytjeve që kanë ndodhur në Shqipëri, prandaj ‘Raiffeisen Bank’ në Kosovë ka vendosur që të kontribuojë sadopak për banorët e zonave të prekura”, tha Robert Wright, drejtor i përgjithshëm i “Raiffeisen Bank” në Kosovë. /Kosovapress/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›