E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vehapi: Unë do të fitoj

 Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, ka thënë se në zgjedhjet e 3 nëntorit do t’ia rikthejë qeverisjen PDK-së në këtë komunë.

Ai ka vlerësuar se fitorja e tij do të jetë e thellë dhe ka treguar se është duke punuar t’i fitojë zgjedhjet në rundin e parë. “Fitoren tonë e mbështesim në mobilizimin e Degës së PDK-së në këtë komunë, mbi të gjitha në vullnetin e madh të qytetarëve. Baza kryesore e fitores sonë është vullneti i qytetarëve për ta votuar PDK-në dhe kandidatin e saj në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 3 nëntor”, ka thënë Vehapi në intervistën për “Epokën e re”.

Vehapi nuk ka dashur të japë vlerësim për qeverisjen e kryetarit aktual, Smajl Latifi, me arsyetimin se vlerësimin do ta japë kur të fillojë fushata zgjedhore. “Sa i përket qeverisjes së kryetarit aktual do të flas gjatë fushatës zgjedhore. Besoj se do të kemi edhe debate televizive. Shumica e projekteve që kryetari aktual i ka kryer kanë qenë projekte të PDK-së. Pra, ato kanë qenë projekte që janë hartuar gjatë qeverisjes sonë“. ka thënë Vehapi.

Ai ka thënë se Komuna e Rahovecit ka nevojë për një qeverisje më të mirë. “Në radhë të parë kjo komunë ka nevojë që administrata të jetë më funksionale, pastaj ka nevojë për një zhvillim ekonomik, me fokus të veçantë bujqësinë, sepse për këtë degë të ekonomisë Komuna e Rahovecit është e njohur. Për mua është privilegj të jem kryetar i qytetarëve të cilët e kanë ideal punën", ka thënë Vehapi. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›