Krasniqi qëndron prapa Iniciativës Qytetare të Drenasit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, qëndron prapa themelimit të Iniciativës Qytetare të Drenasit.
Kjo është konfirmuar nga Shemsi Elezi, asamblist i deritashëm i PDK-së në Kuvendin Komunal të Drenasit.
“Po, edhe ‘PO’ e madhe. Jakup Krasniqi qëndron pas nesh”, ka thënë Elezi, në një intervistë për KTV-në.
“Besoj shumë se Jakup Krasniqi do të jetë në fushatën tonë që do ta bëjmë në Drenas”, ka shtuar Elezi, i cili është themelues i Iniciativës Qytetare të Drenasit.
Elezi nuk ka dashur të flasë për iniciativën e Malishevës, por ka thënë se aty ku është Jakup Krasniqi është edhe Fatmir Limaj.
Ai ka thënë se në të ardhmen do të bashkohen edhe me iniciativat tjera qytetare të cilat janë duke u formuar nga ish-anëtarët e PDK-së. Deri më tash, përveç në Drenas, simpatizantët e PDK-së kanë themeluar iniciativa qytetare edhe në Malishevë dhe në Ferizaj.
Ndërkohë, deri më tash nga Dega e PDK-së në Malishevë janë shkëputur dhjetë Nëndegë që kanë përkrahur Iniciativën Qytetare për Malishevën./Indeksonline/