E Diel, 1 Nëntor 2026

Vehbi Hoti: E turpshme që u shkatërrua shtëpia-muze e Gurakuqit

Oliverta Lila

Studiuesi i rilindësit, profesor Vehbi Hoti kritikon mosvlerësimin e patriotit në këtë 100- vjetor të Pavarësisë. Ai bën thirrje për njohje të kontributit të patjetërsueshëm dhe botimin e plotë të veprës së Gurakuqit

Figura e Luigj Gurakuqit është një amanet i historisë

Oliverta Lila

Ndërsa vazhdon të flitet për rishkrimin e historisë, rivlerësimin e figurave historike dhe kontributit të tyre, debati më i fundit është përqendruar rreth figurës së Luigj Gurakuqit dhe njohjes së vlerave të tij në këtë 100-vjetor të Pavarësisë. Prof. Dr. Vehbi Hoti, një ndër njohësit e studiuesit e Luigj Gurakuqit, të cilit i ka kushtuar monografinë Luigj Gurakuqi për shkollën shqipe dhe arsimin kombëtar, mendon se duhet të bëhet më shumë për këtë gjigand, rilindës, kontributin e të cilit e quan të patjetërsueshëm. Sipas tij, është e domosdoshme ringritja e shtëpisë muze dhe botimi i veprës së plotë të Gurakuqit.

Profesor, kush ka qenë Luigj Gurakuqi, personaliteti dhe formimi i tij?

Luigj Gurakuqi (1879-1925) ka qenë një personalitet i fuqishëm e me formim të gjerë, me peshë të madhe në lëvizjen tonë kombëtare, në luftën për pavarësi e liri, për ndërtimin e demokratizimin e shtetit të parë shqiptar, për lëvrimin e gjuhës shqipe, për ngritjen e zhvillimin e shkollës shqipe dhe të sistemit arsimor kombëtar. Ai mori një formim arsimor, shkencor dhe kulturor dhe, që në moshë të re, fitoi një autoritet të padiskutueshëm në lëvizjen patriotike dhe në botën intelektuale shqiptare. Luigj Gurakuqi ishte një figurë poliedrike e madhore. Ishte politikan e diplomat, burrë shteti i shquar, gjuhëtar, poet e prozator, eseist e kritik letrar, pedagog e tekstikolog, ekonomist, orator, përkthyes, njeri i kulturës e i shkencës, i fjalës e i veprimit, i pendës dhe i pushkës. Njihte thellë trashëgiminë kulturore të popullit tonë. Njihte mirë kulturën perëndimore dhe posaçërisht atë italiane, romake e latine. Gurakuqi ishte poliglot. Përveç shqipes, zotëronte në mënyrë të shkëlqyer italishten, latinishten, turqishten, frëngjishten. Përdorte dhe gjermanishten e greqishten. Pra, kishte një kulturë e formim si radhë kush. Por mbi të gjitha, ai ishte patriot i madh dhe atdhetar i flakët.

Në kuadrin e 100- vjetorit të Pavarësisë deshëm të theksonim rolin e kontributin e dhënë nga Gurakuqi, ku konsiston ai?

Fillimisht dua të theksoj faktin se L. Gurakuqi, si rrallë kush, përjetoi ngjarjet më kulmore të jetës politiko-shoqërore e kulturore e arsimore të çerekut të parë të shekullit XX. Në shumicën prej tyre ai qe pjesëmarrës e dëshmitar i drejtpërdrejtë, madje ndër organizatorët e drejtuesit kryesor të këtyre zhvillimeve. Madje, shumë prej këtyre ngjarjeve na i ka lënë të fiksuara me dorën e tij. Kudo në ballë, në mos i pari, ndër të parët qe. Kështu p.sh, ai ishte drejtori i parë i Normales së Elbasanit (1909) dhe ministër i parë i Arsimit shqiptar (1912). Dora e tij shkroi alfabetet e miratuara nga Kongresi i Manastirit (1908) dhe i zbuloi para delegatëve. Ai shkroi Memorandumin e famshëm të Greçës apo Librin e kuq të malësorëve kryengritës, qershor 1911, zjarri i armëve të të cilëve paralajmëronte pavarësinë. Luigj Gurakuqi, së bashku me Ismail Qemalin, ishin ndër autorët kryesorë të hartimit e të përpunimit të programit të luftës së popullit tonë për liri, autonomi e pavarësi. Ai ishte dora e djathtë e Ismail Qemalit në ngritjen e flamurit në Vlorë në nëntorin e 1912-ës. Nga ajo dorë u shkrua vendimi historik i Kuvendit të Vlorës, nëpërmes të cilit mbarë bota mori vesh se Shqipëria më sot do të bëhet më vehte, e lirë, e mosvarme. Si politikan e burrë shteti, Gurakuqi ka luajtur një rol me rëndësi edhe në funksione të ndryshme me shumë rëndësi: si drejtor i përgjithshëm i Arsimit në zonën e pushtimit austro-hungarez (1916-1918); Ministër (Delegat) i Arsimit në qeverinë e Durrësit (1919); si deputet dhe si ministër në disa kabinete qeveritare në vitet 1920-1924, që shpesh ndërroheshin në shtetin shqiptar ende të pastabilizuar. Gurakuqi ka kontribute të shquara në shumë fusha. Ai ishte një nga diplomatët më të shquar shqiptarë, që përfaqësoi me dinjitet e mbrojti me zjarr interesat e popullit shqiptar në qendrat më të mëdha të politikës europiane, si: në Romë, në Vjenë, në Paris, në Londër në Konferencën e Paqes në Paris (1919) apo në Lidhjen e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë (1924). Në fushën e gjuhësisë e të arsimit ai mbetet një nga figurat më të shquara të kohës. Ai dha kontribute thelbësore në lëvrimin e gjuhës shqipe, e në hartimin e alfabetit të saj, në studimet që bëri, e në veprimtarinë e tij si nënkryetar i Kongresit të Manastirit e sekretar i komisionit të posaçëm të alfabetit. Gurakuqi pati meritën se udhëhoqi drejtpërdrejt në shtetin e pavarur shqiptar, për ndërtimin e shkollës shqipe dhe ngritjen e sistemit arsimor kombëtar shqiptar. Kështu që luftën për liri e pavarësi, për ndërtimin e demokratizimin e shtetit të vet, për lëvrimin e gjuhës shqipe, për ngritjen e shkollës shqipe, për historinë e arsimit e të mendimit pedagogjik shqiptar janë të pandarë nga emri i Luigj Gurakuqit dhe veprës së tij.

Kjo figurë me kontribute kaq të mëdha në jetën politike e patriotike të vendit, a mendoni se ka gjetur vlerësimin e trajtimin e duhur?

Paraprakisht duhet të them se Luigj Gurakuqi ka qenë ndër figurat më të studiuara e më të vlerësuara të së kaluarës. Gjatë gjithë kohërave, pavarësisht se ka pasur raste edhe të qëndrimeve dhe të mendimeve të kundërta, ai është vlerësuar shumë nga opinioni i gjerë shoqëror, nga qarqet patriotike e shtypi kombëtar edhe sa ishte gjallë. Figura e tij filloi të bëhej objekt studimi pas vdekjes. Për të është shkruar e folur edhe gjatë qeverisjes së Ahmet Zogut, gjatë pushtimit fashist, por veçanërisht pas çlirimit. Janë botuar jo pak artikuj studimorë e përkujtimorë, botime e studime të veçanta në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni. Figura e tij është pasqyruar në botimet akademike për historinë e Shqipërisë, në historinë e letërsisë e të arsimit. Për Gurakuqin është shkruar edhe jashtë Shqipërisë. Kështu p.sh vëllimi i parë i enciklopedisë kroate Hrovatska Enciklopedija ka një zë kushtuar Gurakuqit, të shkruar nga prof. Eqerem Çabej. Një vlerësim i veçantë i është bërë nga bashkia e Rajonit të Pulias, e cila më 2 mars 2000 organizoi veprimtari të veçantë për Gurakuqin. Sheshit pranë, ku u vra heroi ynë, në Bari, iu dha emri i tij, duke vendosur edhe një tabelë të shkruar në shqip e në italisht në përkujtim të tij. Universiteti i Barit botoi një përmbledhje me punë të studiuesve shqiptarë e italianë kushtuar Gurakuqit. Para viteve 1990, eshtrat e Luigj Gurakuqit u sollën në Shqipëri dhe u vendosën në varrezat e Shkodrës (1957). Ai është nderuar me tituj të lartë Hero i Popullit dhe Mësues i Popullit. Emri i Luigj Gurakuqit i është vënë Normales së Elbasanit (1959) dhe Universitetit të Shkodrës (1989). Megjithatë dhe një figurë e nderuar dhe kaq e vlerësuar si Luigj Gurakuqi, nuk i shpëtoi dot, kritereve të kohës së diktaturës, si censurimet, limimet, modifikimet që bëhej sa më i pranueshëm për ideologjinë marksiste-leniniste dhe sistemin komunist. Si kufizime mund të përmendim faktin se ana botëkuptimore filozofike e Gur

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›