Veliaj-Braçes: Shokët e ekipit ndihmojnë, jo thika pas shpine!
Vota e emigrantëve dhe të rinjve do të jenë prioritet në fushatën elektorale të PS-së për zgjedhjet e 2013. Sekretari për Rininë e Emigracionin, Erion Veliaj, thotë për Ora News se po hartohen projekte të veçanta për të bërë të mundur pjesëmarrjen sa më të madhe te emigrantëve në zgjedhje, por edhe thithjen përmes bashkëpunimit me FRESH të organizatave të ndryshme rinore të votave të të rinjve.
Reagimi ndaj Braçes
Sekretari për Emigracionin reagon edhe për deklaratat e bëra nga deputeti Erjon Braçe për të dhënat e remitancave të emigrantëve që iu referua Erion Veliaj. Ka pas reagim nga një deputet. Nëse shifra zyrtare është 1 miliard nga dërgesat zyrtare kjo është një shifër informale, e cila mund të jetë edhe me e madhe. Ka një numër të madh emigrantësh që para se të niset me autobus për Greqi, u lënë para kesh familjarëve në Shqipëri. Besoj që në një ekip punohet për të lartësuar shokët, e jo për tu marrë me gjëra të parëndësishme. Unë kam zgjedhur në këtë ekip ti lartësoj shokët që bëjnë një avokati të shkëlqyer në Kuvend, sepse në këtë mënyrë shkohet në zgjedhje, tha ai.
Zgjedhjet 2013
Për Erion Veliajn zgjedhjet e 2013 do të shënojnë një fitore të thellë të socialistëve, pasi shqiptarët do vendosin programin për një Rilindje Shqiptare.
Braçe: Shpenzime luksi në BSH
Deputeti socialist Erjon Braçe i është rikthyer çështjes së shpenzimeve të fryra në administratë, këtë herë jo vetëm të qeverisë, por një institucioni tjetër publik, Bankës së Shqipërisë. Shpenzimet e luksit, të qeverisë dhe institucioneve financiare, BSH, institucione që duhet të rrezatojnë moral në këtë krizë shkurtimesh, jo vetëm që nuk ndalen por janë rritur në mënyrë dramatike, që kalojnë çdo logjikë, ka deklaruar Braçe. Të dhënat nga vetë bilanci zyrtar i bankës tregojnë se shpenzimet e personelit në Bankën e Shqipërisë janë rritur me gati 40 për qind krahasuar me vitin 2009, ndërkohë që shpenzimet administrative janë dyfishuar. Zoti Braçe evidenton dy zëra, që sipas tij tregojnë qartë se si banka i përdor paratë publike. Për vitin 2012 janë planifikuar 11 milionë lekë të reja në formë kompensimesh ushqimi në BSH. Të habitshme janë shpenzimet e sportit që në vitin 2009 kanë qenë 27.8 milionë lekë të reja, ose rreth 280 mijë dollarë. Në 2012 këto shpenzime janë ulur në 37 mijë dollarë. Çjanë këto shpenzime sporti prej 40 mijë dollarësh në BSH, është shprehur Braçe. Nënkryetari i grupit parlamentar socialist thotë se dyshime të forta ka dhe në një tjetër zë shpenzimesh, që lidhet me qeranë që banka u paguan subjekteve private për godinat. Vërtet BSH në këto vite ka kaluar në rikonstruksion godinën qendrore, por ka blerë një godinë tjetër me 40 milionë dollarë dhe në kushtet e këtyre shpenzimeve paguan edhe qera. Do ta shpjegojnë vetë ata se çjanë këto shpenzime që janë rritur nga 335 mijë dollarë në 1 milionë dollarë, ka nënvizuar Braçe.