Panariti: Nuk ka negociata për marrëveshjen me Greqinë
Ministri i Jashtëm shqiptar, Edmond Panariti, deklaroi dje në një konferencë për mediat se nuk ka negociata për marrëveshjen detare me Greqinë. Duke ju përgjigjur interesit të gazetarëve, ai garantoi se në rast se do të ketë negociata ato do të zhvillohen në respekt të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. “Për marrëveshjen me Greqinë dua të jem i qartë se nuk ka as negociata, as negociatorë dhe as grupe pune. Nëse në të ardhmen do të na duhet të bisedojmë me autoritetet greke kjo do të bëhet në respekt të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ligjeve të vendit dhe atyre ndërkombëtare”, tha Panariti. Ministri u shpreh se kjo çështje ka një sensibilitet të madh publik dhe çdo vendimmarrje do të jetë publike. Për këtë qëllim ai ftoi edhe shoqërinë civile që të bëhet pjesë e këtij diskutimi. Lidhur me ndalimin e gazetarit Marin Mema, Panariti tha MPJ është në pritje të sqarimeve nga pala greke.
Z. Panariti, në një konferencë për shtyp më 14 gusht keni deklaruar se grupet e punës janë duke punuar dhe në momentet që do të keni rezultate konkrete do ti bëni publike ato. Ndërkohë Kryeministri ka dalë në një konferencë dhe u shpreh se, nuk ka patur asnjë grup pune, asnjë marrëveshje për tu negociuar me palën greke. Mund të na thoni se cila është e vërteta? Ka grup pune apo nuk ka grup pune?
Me lejoni që të jem i qartë dhe i drejtpërdrejtë. Në radhë të parë, nuk ka asnjë negociatë, nuk ka negociatorë dhe nuk ka grupe pune për negociatat me Greqinë, përsa i përket marrëveshjes ujore detare me këtë vend. Natyrisht është normale që brenda institucionit të ketë një trajtesë teknike dhe në këtë kuptim është më se normale që Ministria e Punëve të Jashtme të merret me këtë çështje, si dhe me shumë çështje të tjera të rajonit apo të përmasave globale. Nëse neve do të na duhet të bisedojmë në të ardhmen me autoritete greke për çështjen e kufijve ujorë do ta bëjmë këtë gjithmonë në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në respekt të kushtetutës së vendit, në respekt të ligjeve ndërkombëtare.
Në lidhje me ndalimin e gazetarit Marin Mema në kufi, a keni ndonjë informacion të mëtejshëm se cili është reagimi i palës greke për këtë çështje dhe cilat janë hapat e mëtejshëm që do të marrë Ministria juaj?
Kjo është një ngjarje shumë e rëndë që ka ndodhur me gazetarin e nderuar të televizionit Top Channel. Menjëherë MPJ ka reaguar. Kemi kontaktuar autotritetet greke për tu bërë të ditur që ne presim sqarime për arsyet e ndalesës së gazetarit. Jemi në pritje të këtyre sqarimeve dhe më pas do të ndërmarrim edhe hapat respektive në funksion të përgjigjeve nga ambasada greke.
Është folur shumë për ngritjen e grupeve të punës për çështjen e marrëveshjes së ujrave, ndërkohë që ka shumë deklarata kontradiktore për këtë çështje, a mund të na sqaroni çështjen e ngritjes së këtyre grupeve?
Është mëse normale që të ketë një trajtesë të brendshme të këtij problemi nga Ministria e Jashtme. Në rast se nuk merret Ministria e Jashtme kush do të merret? Pra, ëshë mëse normale në logjikën e gjërave që Ministria e Jashtme, sikundër dhe për shumë probleme të tjera që ka në rajon, të trajtojë dhe të jetë e përgatitur për të prodhuar opsione për trajtimin e çdo problemi kur neve do të na duhet të ulemi me palën greke për të diskutuar, për të debatuar rreth kësaj çështjeje.
MPJ do të jetë transparente?
Ministria e Jashtme do të jetë transparente në çdo hap që ajo do të bëj në raport me marrëveshjen për ujërat me Greqinë, si dhe për çdo problem tjetër. Madje ne ftojmë që pjesë e këtij diskutimi të jenë edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe ne jemi të gatshëm në çdo moment që të japim informacione të detajuara në të gjitha nivelet, duke respektuar rigorozisht hierarkinë institucionale të shtetit.
Kur do fillojnë negociatat me palën greke? Dhe një pyetje tjetër, prej shumë vjetësh Ministri i Jashtëm nuk ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Athinë, përse ju jeni ftuar pikërisht tani që jeni në këtë post, në këtë moment në një vizitë zyrtare në Athinë? A keni një koment për këtë?
Negociatat për marrëveshjen ujore do të fillojnë kur ne të jemi gati nga ana teknike për këtë çështje dhe kur kjo të gjykohet oportune dhe në interesin tonë kombëtar. Për sa i përket vizitës në Greqi, kam një ftesë nga homologu im grek, të cilën e pranova me shumë kënaqësi. Dhe pikërisht ne e zhvillojmë këtë vizitë për tu dhënë një hov të ri marrëdhënieve të mira midis Republikës së Shqipërisë dhe Greqisë dhe presim që të ketë zhvillime pozitive.