E Diel, 1 Nëntor 2026

Veliaj i drejtohet GJKKO-së: Pas 9 muajsh në burg, nuk kam pasur akses në dosje

Prej 9 muajsh në burg, Veliaj thotë se nuk i është lejuar që të lexojë asnjë faqe nga dosja dhe se USB-ja që i është dorëzuar avokatëve nuk mund të përdoret në burg.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i është drejtuar GJKKO-së me një kërkesë për t’u njohur me aktet e dosjes në ngarkim të tij. Prej 9 muajsh në burg, Veliaj thotë se nuk i është lejuar që të lexojë asnjë faqe nga dosja dhe se USB-ja që i është dorëzuar avokatëve nuk mund të përdoret në burg. Po ashtu, ai  pretendon se aktet e depozituara në gjykatë nuk përputhen me ato të depozituara në USB nga SPAK.

Ai kërkon një kopje fizike të dosjes dhe që të ketë kohë të mjaftueshme për ta lexuar në mënyrë që të përgatitet për mbrojtjen.  Sipas Veliajt, mosvënia në dispozicion e dosjes cënon rëndë të drejtën për mbrojtje efektive dhe përbën shkelje të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Në kërkesë, theksohet se vazhdimi i procedurës pa garantuar këtë të drejtë elementare e bën të pavlefshëm çdo hap të mëtejshëm dhe e shndërron procesin në një formalitet që cenon drejtësinë.

Theksojmë se më datë 3 nëntor, Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë Veliajt, duke e lënë në detyrë si kryebashkiak i Tiranës. Gjykata rrëzoi vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij dhe dekretin e presidentit për shpalljen e zgjedhjeve në këtë bashki. Ndërkohë, sot, kryeministri Edi Rama e komentoi sërish këtë vendim, teksa tha se qëllimi ishte që Tirana të mos mbetej pa kryetar. Ai shtoi se pas këtij vendimi, gjykata duhet që të jetë edhe zgjidhjen që ta kthejë në zyrën e tij kryetarin e zgjedhur të Tiranës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›