E Hënë, 2 Nëntor 2026

Veliaj jep certifikatat e pronësisë, familjet e prekura nga tërmeti në zonën e “5 Majit” marrin apartamentet

Në një realitet të transformuar krejtësisht, siç është lagjia e re e “5 Majit”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shpërndau certifikatat e pronësisë për familjet e prekura nga tërmeti i 2019, të cilët kanë hyrë prej disa kohësh në shtëpitë e tyre të reja.

“Kjo tregon çfarë fuqie kanë njerëzit kur bashkëpunojnë dhe kur i shtrohen punës për të transformuar jetët e njerëzve. Ja ku jemi sot: pallatet janë të vërteta, njerëzit janë të vërtetë dhe certifikatat e pronësisë janë të vërteta. Unë nuk besoj që shteti është i majtë ose i djathtë, unë besoj se shteti është në shërbim të njerëzve. Ky është shteti ynë, kjo është qeveria jonë, kjo është bashkia jonë, këto janë punëtorët tanë, kjo është administrata jonë”, tha Veliaj.

Veliaj deklaroi se shpërndarja e certifikatave të pronësisë mund të kishte ndodhur dy-tre vjet më parë, por bllokimi i punës e bëri të pamundur.

 “Këtë mund ta kishim bërë përpara dy-tre vitesh. Në Kombinat jemi ende mbrapa, sa filluam të japim shtëpitë e para sepse na u desh të përballeshim me 28 procese gjyqësore. 28 gjyqe që u hapën nga ata që nuk numërojnë dot vilat e tyre, i harrojnë ku i kanë vilat, ndërkohë për njerëzit na bllokonin punën”, tha kryebashkiaku.

Numri total i apartamenteve të ndërtuara është 780, nga të cilat janë shpërndarë 428 apartamente në 7 godina./vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›