Veliaj në GJK: Kemi standard të dyfishtë, kryetari i Rrogozhinës është dënuar dhe vazhdon në detyrë, unë në paraburgim

Gjatë seancës së sotme në Gjykatën Kushtetuese, Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka ngritur shqetësimin e tij për zbatimin e standardeve të ndryshme ligjore në rastin e tij, në krahasim me raste të tjera, duke theksuar se ndodhet në paraburgim pavarësisht se ende nuk ka një vendim të formës së prerë.
Veliaj solli si shembull Kryetarin e Bashkisë së Rrogozhinës, duke argumentuar se ky i fundit, edhe pasi është dënuar, vijon të mbajë detyrën.
“Dua t’i bëj një pyetje përfaqësuesve të Këshillit të Ministrave. Kryetari i Bashkisë Rrogozhinë është i dënuar me një vit burg dhe vazhdon të bëjë detyrën. Unë jam i pafajshëm, i paraburgosur dhe largohem nga detyra. Pra, këshilla në të ardhmen për kryetarët e bashkive është: më mirë të bësh një krim, për sa kohë që eviton burgun, është në rregull për ju për shkarkimin, sesa të mos bësh asnjë krim dhe në ruajtje të pavarësisë tënde, nga paraburgimi të penalizohesh” deklaroi Veliaj, duke shtuar se, “Kush prevalon? S’ka një vendim të formës së prerë. Kemi standard të dyfishtë. Për dikë të pandehur aplikohet krimi, për dikë të dënuar duhet të presim vendimin përfundimtar.”
Në seancë, avokati i Veliajt iu drejtua përfaqësuesve të Këshillit të Ministrave (KM) duke vënë në dyshim bazën ligjore për verifikimin e mungesës së Kryebashkiakut për më shumë se tre muaj, gjë që çoi në masën disiplinore.
Avokati pyeti se cilat akte zyrtare (lista prezencash, shkresa nga burimet njerëzore, apo vendimi i masës së sigurisë) dëshmonin mungesën e Veliajt në këtë Këshill.
Përgjigja e përfaqësuesve të KM theksoi se konstatimi u bë në bazë të propozimit të Këshillit Bashkiak, miratimit të Prefektit dhe faktit të njohur botërisht për masën e sigurisë.
/rtsh.al/