Reforma e re për Administratën Publike, publikohet për konsultim publik projektligji “Për Nëpunësin Civil”

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin për ndryshime në ligjin “Për Nëpunësin Civil”, që synon modernizimin e administratës publike dhe krijimin e një shërbimi më efikas e meritokratik.
Sipas njoftimit, ndryshimet ligjore kanë për qëllim përmirësimin e modelit të shërbimit civil, rritjen e transparencës dhe tërheqjen e profesionistëve të rinj nga jashtë administratës. Një nga risitë kryesore është rritja e kufirit për rekrutime nga jashtë shërbimit civil, nga 20% në 50% të pozicioneve vakante brenda një viti.
Projektligji parashikon gjithashtu strukturë të re pagash, e cila nxit performancën përmes bonuseve vjetore për punonjësit më të suksesshëm dhe heq avancimin automatik në shkallët e pagës. Po ashtu, krijohet një Komision Kombëtar i Atestimit për standarde unike rekrutimi në të gjithë administratën publike.
Ndërhyrjet përfshijnë edhe mandate 5-vjeçare për sekretarët e përgjithshëm e drejtuesit e institucioneve, sistem më të hapur karriere dhe proces më të strukturuar të testimit dhe konkurrimit.
Ndërhyrjet kryesore në legjislacion adresojnë dhe zgjidhin një sërë aspektesh të forcimit të funksionimit të shërbimit civil në praktikë si më poshtë:
1. Standard unik rekrutimi për të gjithë administratën publike:
• Rekrutimi me bazë merite shtrihet në të gjitha institucionet publike që janë ose jo pjesë e shërbimit civil.
• Procesi administrohet nga një Komision Kombëtar i Atestimit me përfaqësim nga qeveria, institucionet e pavarura dhe qeverisja vendore.
2. Model i ri i përmirësuar për pranimin në nivelin hyrës zhvillohet me dy faza:
• Testim kombëtar i uniformizuar, i zhvilluar nga DAP për të gjithë kandidatët e interesuar;
• Konkurs specifik për pozicionin, i zhvilluar nga institucioni që ka vendin vakant, nën mbikëqyrjen e DAP.
3. Ristrukturim i modelit të rekrutimit për nëpunësit e nivelit të lartë drejtues
• Transparencë, fleksibilitet dhe siguri e shtuar në rekrutim dhe trajtimin e nëpunësve të nivelit të lartë;
• Shpallje e pozicioneve individualisht për çdo vakancë;
• Sekretarët e Përgjithshëm dhe titullarët e institucioneve do të kenë mandate 5-vjeçare të rinovueshme;
• Kufizohen ndërhyrjet diskrecionare në përzgjedhje.
4. Sistem më i hapur dhe më fleksibël karriere për më shumë ekspertizë të re dhe më të madh profesional
• Qarkullim më i madh midis profesionistëve mes sektorit publik dhe atij privat;
• Rritje e kufirit për kandidatët që mund të rekrutohen nga jashtë, nga 20% në 50% të pozicioneve vakante brenda administratës publike brenda një viti;
• Mundësi e shtuar për rikthimin në shërbimin civil pas eksperiencave jashtë tij.
5. Strukturë e riformatuar pagash që inkurajon performancën dhe rrit motivimin:
• Hiqet avancimi automatik në shkallët e pagës;
• Parashikohet bonus vjetor për performancë të lartë, për një përqindje të kufizuar punonjësish;
• Sistem i ri vlerësimi performance me 5 nivele nga 4 nivele që parashikohet aktualisht.
/rtsh.al/