Veliaj në njësinë 11: Na duhet shumica absolute, si garanci për të ecur përpara

Kryetari i PS për Tiranën, Erion Veliaj ka theksuar këtë të mërkurë se duhet të sigurohet shumica në Këshillin Bashkiak, si garanci, sipas tij, për të marrë vendime të rëndësishme për qytetin.
Nga Njësia 11 në kryeqytet, ku ndoqi prezantimin e platformave të kandidatëve në garë për kryetarët e rinj te PS në çdo njësi, Veliaj shigjetoi edhe partitë e vogla.
“Është shumë e rëndësishme që të kemi një shumicë të plotë. Pse? E keni parë me çfarë krenarie përfaqëson Edi Rama Shqipërinë? Ate siguri ia jep mbështetja e shumicës së popullit. E keni parë që nuk ka të njëjtën siguri dikush që përfaqëson Maqedoninë e Veriut ose Bullgarinë? Secili prej tyre përfaqësohet nga një e treta e popullit dhe nuk merr dot vendime, qoftë edhe për veton për hyrjen në BE te Maqedonisë së Veriut dhe Shqiperise. Ndërkohë, Edi Rama ka fuqinë e shumicës së këtij vendi, që i jep autoritet, i jep kurajo, që i jep besim të flasë në emrin tonë dhe të marrë vendime të rëndësishme. Ndaj, na duhet shumica edhe ne Keshill sepse është garancia për të ecur përpara, për të marrë vendime të rëndësishme. Një popull i fragmentuar, një Parlament copë e çikë, partiçkat e vogla që të ngulen si shushunja në lëkurë, nuk ta japin dot këtë mundësi”, theksoi ai.
Kryetari i Bashkisë p ashtu se sigurimi në zgjedhje i një shumice absolute mundëson marrjen e vendimeve të shpejta.
“Na duhet shumica për të qene më të shpejtë kur vendosim për aktin normativ që subvencionon energjinë, për kompensimet e tërmetit apo për të blerë vaksinën në mënyrë urgjente për 24 orë. Flamuri i fitores i Partisë Socialiste është fakti se i japim zgjidhje halleve qe kane qytetaret”, u shpreh Veliaj.
Nisur nga protesta e opozitës, Veliaj akuzoi Berishën se kur kishte pushtetin krijoi firmat piramidale dhe vuri shqiptarët kundër njëri-tjetrit. Kryetari i PS për Tiranën deklaroi se sfida e mazhorancës është me veten e saj.
“Çfarë beri ky që kërkon protesta sot? Ky i 96-ës, i 97-ës, i 98-ës, që i vuri shqiptarët të vriten me njëri-tjetrin, veriun me jugun, të krishterët me myslimanët, firmat piramidale, që i quante Zvicra shqiptare, Lanën e zaptuar. Këta e kishin Tiranën dhe nuk bënë një shkollë. Sot kemi 40 shkolla te reja. Shikoni partine tjetër: hap qepenin, mbyll qepenin, njëherë burri, njëherë gruaja. Keta nuk janë kundërshtarët tanë, ne jemi kundërshtarët e vetes sonë sepse duhet të mundim veten tonë, te bëjmë me mire seç kemi bere. Nëse bëmë 40 shkolla, tani do bëjmë edhe më shumë. Nëse bëmë kaq shumë hapësira publike, më shumë do bëjmë tani. Nëse ndihmuam kaq shumë njerëz në kohë betejash, me shume do te bëjmë në kohë paqeje, kur punët i kemi mirë”, tha Veliaj.
/rtsh.al/