Veliaj u dërgua në burgun e Fierit, Këshilli Bashkiak i kërkon informacion Drejtorisë së Burgjeve: Transferimi e ka larguar më tej nga institucioni që drejton!
Anëtarët e Këshillit Bashkiak të Tiranës i kanë drejtuar një kërkesë për informacion Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ministrisë së Drejtësisë dhe Avokatit të Popullit, lidhur me transferimin e kryebashkiakut Erion Veliaj nga paraburgimi i Durrësit në burgun e Fierit.

Në shkresë, këshilltarët shprehin shqetësimin se transferimi i fundit e largon edhe më shumë Veliajn nga selia e bashkisë së Tiranës që ai drejton. Sipas tyre, pavarësisht gjendjes së paraburgimit, mandati i tij nuk është ndërprerë dhe se duhet të garantohet funksionimi i institucionit në përputhje me kompetencat që parashikon ligji.
“Transferimi i fundit i z. Veliaj nga institucioni i paraburgimit në Durrës në atë të Fierit ka krijuar një rrethanë të re, duke e larguar atë më tej nga selia e institucionit që drejton dhe duke ngritur shqetësime të arsyeshme për mundësinë e komunikimit, administrimit të dokumentacionit dhe ushtrimit të kompetencave të tij. Kjo distancë shtesë, së bashku me kufizimet që burojnë nga regjimi i paraburgimit, kërkon një vlerësim konkret të pasojave që mund të ketë mbi funksionimin e Bashkisë Tiranë.”, thuhet në shkresë.
Ata kërkojnë transparencë mbi arsyet ligjore të transferimit, garantimin e kushteve të qëndrimit në përputhje me standardet ligjore dhe europiane, si dhe verifikimin e çdo kufizimi të pajustifikuar.
“Asnjë masë paraburgimi nuk mund të shërbejë si justifikim për trajtim çnjerëzor apo poshtërues, për kufizime arbitrare të komunikimit me familjen dhe mbrojtësit ligjorë, apo për pengesa të pajustifikuara në marjen e kujdesit shëndetësor. Për këto arsye, kërkojmë nga Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve: 1. Transparencë të menjëhershme mbi arsyet ligjore dhe faktike të transferimit. 2. Garantimin e kushteve të qëndrimit në përputhje me standardet ligjore dhe europiane, si dhe vlerësimin e menjëhershëm të nevojave shëndetësore. 3. Respektimin e plotë të së drejtës së komunikimit me familjarët dhe mbrojtësit ligjorë. 4. Verifikimin dhe heqjen e çdo kufizimi të pajustifikuar që pengon ushtrimin e të drejtave të tij.”
Në përfundim, ata nënvizojnë se Veliaj gëzon prezumimin e pafajësisë dhe se situata e krijuar nuk duhet të prodhojë pengesa të paligjshme për funksionimin e Bashkisë së Tiranës.
“Ne nuk kërkojmë privilegje për Erion Veliajn. Kërkojmë respektimin e ligjit, dinjitetit njerëzor dhe të drejtave që i takojnë çdo qytetari”, thuhet në shkresë.