E Hënë, 2 Nëntor 2026

Velipojë, çmimet e banesave në rritje, agjenti imobiliar: Emigrantët dhe shtetasit nga Kosova, në krye të blerësve

Bregdeti i Velipojës po kthehet gjithnjë e më shumë në një pikë tërheqëse për investime në pasuri të paluajtshme. Sipas agjencive imobiliare, kërkesat për blerje apartamentesh në zonën e plazhit janë rritur ndjeshëm vitet e fundit, ndërkohë që oferta mbetet e kufizuar për të përmbushur këtë fluks kërkesash. Kjo disbalancë po ndikon në rritjen progresive të çmimeve.

“Oferta vjen nga ndërtimet ekzistuese. Ka kërkese shumë më të madhe për blerje sesa oferta për shitje dhe kjo kërkesë rrit çmimet. Çmimet variojnë nga 1700 deri në 2200 euro për metër katrorë”, tha Armando Lohja, agjent imobiliar

Kërkesat më të shumta për pasuri të paluajtshme në Velipojë, vijnë nga emigrantët shqiptarë që dëshirojnë të investojnë në vendlindje, por gjithashtu është në rritje edhe interesi i blerësve nga Kosova. Ndikim për këtë ka përmirësimi i infrastrukturës rrugore, sidomos ndërtimi i segmentit Shëngjin–Velipojë.

“Kërkesat në Velipojë vijën nga jashtë, kryesisht emigracioni. Ka një tendencë në rritje sa i përket edhe Kosovës. Kërkesa për blerje trualli apo investime është rritur shumë”, theksoi Lohja.

Pas legalizimit ndër vite të qindra banesave, ne plazhin e Velipojës, që prej afro dy vitesh, janë pezulluar dhëniet e lejeve për ndërtimet e reja në këtë zonë bregdetare. Ndërkohë Velipoja është gjithashtu pjesë e  aksioneve të shpeshta të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit për shembjen e ndërtimeve pa leje.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›