E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmendet "monstra" e Beratit, panik në spital

Romario Hodaj kërcënon të atin se do ta vrasë pasi e ka rrahur kur ishte i vogël. Shan dhe kërcënon pacientë e mjekë
BERAT- Fëmija 13-vjeçar Romario Hodaj prej disa ditësh ka terrorizuar të gjithë pacientët e spitalit të Beratit ku po mbahet në izolin që pas vrasjes së Engjëllushe Sinjarit. Fëmija duhet të ishte dërguar në një shkollë riedukimi ose duhet të lirohej sipas vendimit të gjykatës por deri tani ai vazhdon që të mbahet në spital ku ka nisur të shfaqë edhe shenjat e para të problemeve mendore. Madje ai ka arritur deri aty sa ka ndaluar të atin që ta vizitojë në dhomën ku po mbahet i izoluar. Fëmija pretendon se do ta vrasë të atin pas atyre që i ka bërë kur ishte i vogël.
Burime të spitalit të Beratit pohuan dje se djali që prej dy ditësh ka nisur të bëhet tepër agresiv, çka ka hapur probleme për ekipin e sanitareve në repartin e Kirurgjisë. Romario që prej disa ditësh nuk pranon të komunikojë më me të atin e tij dhe shprehet hapur se nëse del nga dhoma e mbikëqyrur nga uniformat blu, do ta vrasë. Burime pranë repartit ku kirurgjisë bëjnë me dije se ditët e fundit Romario nuk po sillet si më parë. Ndërsa, kalon nëpër korridorin e ngushtë të këtij reparti dëgjon zërin e tij duke klithur e bërtitur pa shkak. Teksa qëndron më të shumtën e kohës në dritare, 13- vjeçari shan me fjalë shumë ofenduese këdo që kalon aty pranë. Madje dje situata është bërë edhe më e rëndë pasi djali 13- vjeçar ka nisur që të urinojë dhe të kryejë jashtëqitjen në krevatin e spitalit, gjë e cila ka hapur probleme për ekipin e sanitareve pranë repartit të Kirurgjisë. Kur është pyetur nga mjekët ai ka pohuar se këtë gjë e bën në mënyrë të pavullnetshme. Ditët e fundit sanitaret e repartit të kirurgjisë kanë parë rrobat e tij dhe sendet personale në tokë ndërkohë që ai është parë të hedhë nga dritaret gjithçka që ndodhet në dhomën e tij që nga çarçafët e deri tek veshmbathjet personale.
Po kështu shenjat e para të agresivitetit të tij dhe problemet e depresionit i kanë vënë re dhe uniformat blu që vazhdojnë të qëndrojë që prej më shumë se një muaji në hyrje të dhomës së Romarios. Disa prej policëve thonë se fëmija është bërë mjaft agresiv dhe gjithë kohën është i nervozuar. Uniformat blu që kanë për detyrë të mos lejojnë askënd përveç familjarëve të afrohet në dhomën ku qëndron fëmija shprehen se ditët e fundit ai vetëm shan me fjalë ofenduese dhe nuk pranon që pragun e derës së spitalit ta kalojë i ati. Babai i Romarios, Ylli, erdhi posaçërisht nga Greqia ku punonte për të mbajtur familjen sapo mësoi ngjarjen e djalit të tij. Por, ndërsa fillimisht djali e ka mirëpritur ardhjen e të atit, ditët e fundit ai nuk ka fshehur agresivitetin ndaj tij. Por, me gjithë problemet që ka hapur qëndrimi i Romarios në repartin e Kirurgjisë, burime nga spitali thanë se dhoma ku qëndron ai është nën mbikëqyrjen e policisë dhe është nën varësinë e policisë së shtetit. Mjekët nuk kanë kompetenca mbi atë dhomë ndërsa policia ka siguruar se fëmija nuk do të rrezikojë asnjë person tjetër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›