Pinari: Qitjet e Diverolit me fishekët kinezë në Tiranë
Ish-kreu i MEICO-s dëshmon për Prokurorinë: Diveroli e dinte që fishekët ishin prodhim kinez. Vendosi t’i ripaketonte
TIRANË- “Efraim Diveroli e dinte origjinën kineze të fishekëve që po blinte nga MEICO. Madje, gjatë vizitës së tij në Shqipëri ai ka bërë qitje me këta fishekë”. Kështu ka pohuar dje nga qelia Ylli Pinari, duke i konfirmuar grupit të prokurorëve se nga Shqipëria drejt Afganistanit janë dërguar vetëm fishekë të prodhimit kinez. Grupi hetimor i tragjedisë së Gërdecit, menjëherë pas nisjes së hetimeve për 22-vjeçarin amerikan Efraim Diveroli ka zbarkuar në qelinë e Ylli Pinarit, në paraburgimin 313 për ta marrë në pyetje. Sipas burimeve nga Prokuroria e Përgjithshme, Pinari përveç se ka pranuar që Diveroli e dinte se çfarë po blinte, ka pohuar edhe qitjet që ai ka bërë gjatë vizitës në Tiranë, për të provuar cilësinë e fishekëve. Sa i përket dyshimeve se ka qenë bashkëpunëtor në falsifikimin e origjinës së fishekëve, Pinari ka pohuar për grupin e prokurorëve se ka zbatuar me përpikmëri kontratën.
***
“Ministria e Mbrojtjes, konkretisht ndërmarrja MEICO ka respektuar deri në detaj të gjitha kontratat që kompania AEY ka pasur me shtetin shqiptar, duke i bërë të ditur kontraktuesit që në fillim se çfarë municioni po blinte. Që para nënshkrimit të kontratës, Efraim Diveroli ishte në dijeni se depot e ushtrisë shqiptare ndodhej një sasi e konsiderueshme fishekësh të prodhimit kinez, rus dhe një sasi e vogël e prodhimit shqiptar. Diverolit ia kemi bërë të ditur se fishekët që do blinte janë të prodhimit kinez dhe për shkak të dyshimeve të tij për cilësinë e tyre, ai ka bërë qitje me rreth 1 mijë fishekë në një poligon ushtarak, në praninë tonë”,-mësohet të ketë thënë Ylli Pinari, para prokurorit të çështjes, Sokol Stojani. Ish-kreu i MEICO-s ka pohuar se prova me fishekët e ka lënë të kënaqur “fëmijën” që fitoi një kontratë 300 milionë dollarëshe nga Pentagoni.
***
“Pas provës së kryer, Diveroli mbeti i kënaqur nga cilësia e fishekëve dhe ra dakord që të blinte rreth 500 milionë. Ai kërkoi që të kryhej ripaketimi, duke hequr etiketat e prodhimit kinez dhe vendosur etiketat e prodhimit shqiptar”,-shtoi Pinari.Sipas këtyre burimeve, Pinari nuk ka ngurruar të flasë edhe për ndryshimin e stampave të prodhimit të fishekëve, të cilat vendoseshin mbi arkat e paketuara. “Gjatë marrjes në pyetje, personi nën hetim, Ylli Pinari, ka dëshmuar edhe mbi akuzën e “shkeljes së rregullave për lëndët plasëse”, akuzat e “falsifikimi të vulave e stampave” si dhe për dyshimet e ndonjë trafiku të mundshëm të municioneve luftarake. Mësohet se në lidhje me dyshimin për trafik të municioneve, Pinari ka qenë kategorik mohues, duke thënë se MEICO ka kryer vetëm shit-blerje legale të materialeve ushtarake. “MEICO nuk ka kryer asnjë lloj trafiku, por vetëm shit-blerje të municioneve në respektim të ligjit shqiptar dhe ato të legjislacionit ndërkombëtar për materialet ushtarake”,-mësohet të ketë thënë Pinari, emri i të cilit ndodhet prej vitit 2005 në listën e personave nën vëzhgim të Departamentit amerikan të Shtetit për trafik armësh.
Fishekët, merret në pyetje edhe Delijorgji
TIRANË- Gjatë ditës së djeshme, nuk i ka shpëtuar seancës së pyetjeve edhe administratori i kompanisë “Albademil”, personi nën hetim Mihal Delijorgji. Përveç akuzave për tragjedinë e Gërdecit, Delijorgji dyshohet se ka kryer ripaketimin e municioneve kineze për llogari të Diverolit, pas largimit të Kosta Trebickës nga ky biznes. Sipas burimeve pranë akuzës, Delijorgji ka përsëritur edhe njëherë mënyrën e punës që kryenin punëtorët e tij në punishten e Gërdecit, që sipas tij janë bërë në bazë të manualeve që kompania SAC i ka sjellë shoqërisë “Albademil”. Nga ana tjetër, Delijorgji ka mohuar të ketë marrë pjesë në procesin e falsifikimit të origjinës së municioneve, për llogari të Efraim Diverolit. Mihal Delijorgji akuzohet për shkelje të rregullave të sigurisë për tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë.