E Diel, 1 Nëntor 2026

Letra, kushtet e PD-së për dekretet e Topit

 

Kryetari i grupit parlamentar i PD-së i kthen përgjigje letrës së Presidentit të Republikës

TIRANË- Partia Demokratike i ka gati propozimet për Presidentin e Republikës, Bamir Topi, lidhur me dekretet për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Menjëherë pas letrës së kreut të shtetit drejtuar partive parlamentare, kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Astrit Patozi është përgjigjur po përmes një letre, drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Presidentit, Aleksandër Flloko. Në letrën e tij, Patozi shkruan se, “grupi parlamentar i Partisë Demokratike mendon se, përveç kërkesave ligjore, kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë duhet të përmbushin edhe disa kërkesa të tjera. Ne besojmë se respektimi i këtyre kritereve do të justifikonte besimin e institucioneve që përzgjedhin dhe miratojnë për meritën e secilit nga kandidatët”. Pikërisht për këtë arsye, Patozi përmes letrës, sqaron se grupi parlamentar i Partisë Demokratike do të kërkonte nga kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë që: të mos kenë marrë pjesë gjatë karrierës së tyre në procese politike; të mos kenë favorizuar apo ndihmuar gjatë hetimit dhe gjykimit, individë ose anëtarë të organizatave kriminale; të mos jenë përfshirë në dhënien e vendimeve gjyqësore në konflikt interesi; të kenë bërë transparente dhe ta kenë të justifikuar pasurinë e tyre. Emërimi i anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, pas rrëzimit në Kuvend të pesë dekreteve të Presidentit, do të kalojë përmes asistencës së posaçme të një grupi ekspertësh, i ngritur me propozim të Kreut të Shtetit. Ky i fundit, përmes një letre zyrtare të përcjellë nga Sekretari i Përgjithshëm i Presidentit, Aleksandër Flloko, u kërkoi partive politike që të paraqitnin propozimet e tyre lidhur me rritjen e kërkesave, veç atyre ligjore, të cilat kandidatët duhet të përmbushin për t’u përzgjedhur për gjyqtarë në Gjykatën e Lartë. Partia Demokratike është forca e parë politike që iu përgjigj zyrtarisht kërkesës, ndërkohë që të njëjtën gjë duket se po gatit edhe Partia Socialiste, zyrtarë të së cilës u shprehën dje se po e merrnin në shqyrtim përmbajtjen e letrës së dërguar dy ditë më parë nga presidenti Bamir Topi.

Letra

Z.Aleksandër Flloko

Sekretar i Përgjithshëm i Presidentit të Republikës

Në përgjigje të shkresës suaj të datës 23 qershor 2008, ju vëmë në dijeni se grupi parlamentar i Partisë Demokratike mendon se, përveç kërkesave ligjore, kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë duhet të përmbushin edhe disa kërkesa të tjera. Ne besojmë se respektimi i këtyre kritereve do të justifikonte besimin e institucioneve që përzgjedhin dhe miratojnë për meritën e secilit nga kandidatët.

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike do të kërkonte nga kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë, që:

1-Të mos kenë marrë pjesë gjatë karrierës së tyre në procese politike.

2-Të mos kenë favorizuar apo ndihmuar gjatë hetimit dhe gjykimit, individë ose anëtarë të organizatave kriminale.

3-Të mos jenë përfshirë në dhënien e vendimeve gjyqësore në konflikt interesi.

4- Të kenë bërë transparente dhe ta kenë të justifikuar pasurinë e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›